Subscribe

Sistemi ujësjellës në Elbasan po përmirësohet me qëllim që për banorët të garantohet furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë. Pjesë e projektit është edhe lidhja e abonentëve familjarë, bizneseve dhe enteve publike me matësa, që aktualisht faturohen aforfe.

“Mesatarisht qyteti i Elbasanit furnizohet për rreth 13 orë në ditë. Humbjet në rrjet ndikojnë në furnizimin me ujë të qytetit që janë të vlerësuara në masën 75%, pra janë shumë të larta dhe prandaj është emergjente ndërhyrja në rrjet. Kjo është një vepër që ka degraduar me kalimin e kohës, ka investime më shumë se 25-vjeçare. Fillimi i këtyre punimeve do të sjellë për zonën ku kryhet investimi 24 orë ujë. Preken 49 mijë qytetarë dhe e gjithë infrastruktura”, tha drejtori i Agjecisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, Klevis Jahaj.

Veç Elbasanit, gjatë vitit 2024 do të ketë investime në rrjetin e ujësjellësit edhe në qytete të tjera për të përmirësuar furnizimin me ujë për banorët.

“Me buxhetin e 2024 kemi 40 projekte të reja që janë në të gjithë territorin e Shqipërisë, janë 300 mijë abonentë të rinj që preken nga këto investime gjatë 2024 dhe 2025 për të shtrirë furnizimin me ujë dhe reduktimin e ujit pa të ardhura”, u shpreh Jahaj.

Me rëndësi, sipas ministres Belinda Balluku është edhe investimi që shoqëritë ujësjellëse duhet të bëjnë për të ulur kostot e energjisë elektrike.

“Ne i kemi disa raste suksesi dhe do të vazhdojmë që të gjejmë një instrument sesi mund të mbështesim ndërmarrjet për të filluar dhe për të qenë auto prodhues të energjisë, gjë që është shumë e rëndësishme”, tha Balluku.

Pas përfundimit të reformës në sektorin e ujësjellësit, Balluku apeloi qe 15 shoqëritë e krijuara të përmirësojnë performancën e tyre, me qëllim per të përfituar fonde mbështetëse. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *