Elbasan/ 92 familje pa ujë, banorët në protestë para Bashkisë: Kërkojmë zgjidhje

Një përfaqësi e banorëve të lagjes Langë, në fshatin Fushë Buall, Njësia Administrative Shushicë, Bashkia Elbasan, u ngritën këtë të hënë në protestë para godinës së pushtetit lokal. Prej katër muajsh, banorët thonë se nuk furnizohen me ujë të pijshëm, duke bërë përgjegjëse punimet për ndërtimin e hidrocentralit në zonë, të cilat, sipas tyre, kanë devijuar burimet ujore.
“Kemi tre muaj që jemi pa ujë të pijshëm. Kanë ardhur, kanë parë, asnjë rrugëzgjidhje. Shkaku i kësaj situate është hidrocentrali”, thotë një banor.
“Problemi kryesor është uji i pijshëm. Janë 92 familje që sot nuk kanë as ujë për të pirë, as për tu larë. Probleme të tjera ka plot fshati, por ne sot kërkojmë vetëm ujë të pijshëm. Kemi katër muaj që bëjmë kërkesë. Asnjë lloj përgjigje”, thotë kryeplaku i fshatit.
Banorët bëjnë me dije se i janë drejtuar disa herë me shkresa Bashkisë Elbasan për zgjidhjen e problemit. Përballë asaj që e cilësojnë si indiferencë të pushtetit lokal, ata dolën sot në protestë, duke kërkuar ndërhyrje për zgjidhjen e situatës. Mes protestuesve kishte edhe të rinj, të cilët shprehën indinjatën për vështirësitë me të cilat po përballen 92 familjet e fshatit.
“Duam patjetër një zgjidhje për situatën”, thotë një banore.
Banorët pretendojnë gjithashtu se hedhja e inerteve në lumë, si pasojë e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit, rrezikon të shkaktojë përmbytje gjatë stinës së dimrit.
Pas një takimi me nënkryetarin e Bashkisë, Asim Sula, banorëve iu premtua ngritja e një grupi pune me inxhinierët përkatës për të verifikuar situatën në terren, si dhe zhvillimi i një takimi me përfaqësuesit e Ujësjellësit.Ndërkohë, banorët kanë firmosur edhe një peticion dhe paralajmërojnë se nëse nuk gjejnë zgjidhje do t’i drejtohen SPAK-ut.




