Partia Demokratike, përmes Enkelejd Alibeajt, e konsideron një tragjedi të paralajmëruar vrasjen e efektivit të policisë në Lezhë, Saimir Hoxha, gjatë një operacioni për kontroll të kultivimit të drogës.

 

Ai shprehet se prej vitesh, punonjësit e policisë që shërbejnë me ndershëmri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë janë braktisur nga shteti i gjunjëzuar përpara krimit.

 

Në mënyrë që rendi dhe siguria të kthehet në normalitet, demokrati shprehet se zgjidhja e vetme është ndarja e politikës nga krimi.

 

“I shprehim ngushëllimet tona familjes së nën/komisarit të policisë, Saimir Hoxha, të vrarë sot në detyrë, teksa kontrollonte për kanabis në zonën e mbrojtur të Kune-Vainit. Fatkeqësisht kjo është një tragjedi e paralajmëruar, sepse prej vitesh punonjësit e policisë që shërbejnë me ndershëmri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë janë braktisur nga shteti i gjunjëzuar përpara krimit, i cili është në revansh për shkak të modelit të bashkëpunimit me krimin të frymëzuar nga ky regjim i korruptuar. Prej vitesh, Shqipëria e sunduar nga Edi Rama është kthyer në vendin kryesor të prodhimit të kanabisit në Europë, pasojat e këtij vullneti të mbrapshtë politik janë shkatërruese për shoqërinë dhe institucionet tona. Që krimi të mos guxojë, që rendi dhe siguria të kthehet në normalitet, zgjidhja që kemi përpara është vetëm një, ndarja përfundimtare e politikës nga krimi dhe ndëshkimi i modelit të ndërtuar nga Edi Rama, i cili ka shkaktuar dhe shkakton vetëm dhimbje dhe pasiguri në familjet shqiptare”, shprehet Alibeaj.

 

Edhe Ervin Salianji ka reaguar për këtë ngjarje, duke thënë se sot është bërë një atentat ndaj shtetit.

 

“Sot ka ndodhur nje nga ngjarjet me te renda, atentat ndaj shtetit. Humbja e jetes ne krye te detyrës e një efektivi te ndershëm, nga te paktet qe lufton realisht krimin dhe gjendjen e përhapur te kanabisit dhe drogës anembanë Shqipërisë. Kushdo qe bie ne lufte me krimin është dëshmor i atdheut dhe ne qe jemi te pranishëm fizikisht nuk mund te bëjmë sikur nuk ekzistojmë ashtu sic fshihen ngjarjet dhe mbulohen me propagandë. Ne ekzistojmë sic ekziston edhe kriminaliteti, vrasjet, droga, mungesa e rendit dhe sigurisë publike.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *