Subscribe

Aldi Rama, 21 vjeçari që vrau nënkomisarin e Policisë së Lezhës Saimir Hoxha një ditë më pare, ndërroi jetë në spitalin e Traumës.

I riu, i cili qëlloi veten me pistoletë gjatë ndjekjes nga ana e forcave RENEA,  nuk mundi dot t’u mbijetojë plagëve të marra. Sipas policisë, autori humbi jetën rreth orës 05:35 të mëngjesit të kësaj të mërkure.

Trupi i tij i është nënshtruar autopsisë, ndërsa po kryen hetime intensive nga prokuroria e Lezhës për të zbuluar nëse 21-vjeçari kreu vetëvrasje apo u qëllua nga policia.

Ndërkohë u arrestuan dy shokët e Aldi Ramës; Kristian Sherri 27-vjeç dhe Armando Marku 26-vjeç. Ata u ndaluan pasi ndodheshin në makinë me të në momentin kur ndodhi vrasja e oficerit.

Burime pranë grupit hetimor thanë për Vizion Plus se tre të rinjtë u konstatuan rreth 500 metra larg një parcele kannabisi që ishte asgjesuar nga policia.

Nga ana tjetër në vendngjarje mësohet se u gjetën 8 gëzhoja pistolete, ç’ka ka ngritur dyshime se mund të ketë pasur një përplasje me armë zjarri mes policisë dhe grupit të të rinjëve.

Në lëvizje është vënë dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme, që po heton veprimet e efektivëve të policisë që ishin me nënkomisarin Saimir Hoxha. Dinamika e ngjarjes, sipas minsitrit të brendshëm, Bledi Çuçi, ende nuk është zbardhur e plotë.

 

BLEDI ÇUÇI

MINISTER I PUNEVE TE BRENDSHME

 

Për fat të keq ishte një ngjarje tragjike për një nga oficerët tanë më të mirë. Besoj se në Drejtorinë e Policisë do të merrnin të gjithë informacionin. SHÇBA bën punën e saj brenda ligjit, por të mos merremi me këto çështje, sot është dita kur do të përcjellim dëshmorin e atdheut për në varrezat e dëshmorëve”.

 

Efektivi Saimir Hoxha, baba i dy fëmijëve prej disa vitesh ishte pjesë e policisë së Lezhës ku shërbente si oficeri i Krimeve.

Ai u qëllua me një plumb në zemër nga 21-vjeçari Aldi Rama gjatë një aksioni kunder kanabisit në zonën e lagunës Kune Vain në Ishull Lezhë.

Ndërkohë autori, i njohur si trafikant droge, kishte dy muaj që kishte dalë nga burgu dhe ishte me masë sigurie arrest shtëpie, të cilën e kishte thyer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *