Shkodra u zgjua këtë të premte nga breshëritë e plumbave.
Naim Bajri, 68 vjeç u ekzekutua nga persona ende të paidentifikuar në lagjen “Partizani”. Ai ishte duke pirë kafe në një lokal në afërsi të “Merkatës së Rusit”, kur u qëllua për vdekje nga një makinë në lëvizje.
Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe punëtori i Bajrit, 58-vjeçari Astrit Zeneli, i cili ishte në të njëjtën tavolinë. Ai u dërgua me urgjencë drejt spitalit, ku po merr ndihmë mjekësore.
Atentati ndodhi rreth orës 7:20, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, si dhe ato të RENEA-s. Nga ana tjetër, agjentët morën dëshmitë e para dhe sekuestruan kamerat e sigurisë së bizneseve rreth zonës.
Pak më vonë në lagjen në lagjen “Guerrile” u gjet një makinë e djegur. Mjeti dyshohet se u përdor nga autorët për të kryer krimin.
Naim Bajri ishte tregtar në markatën e peshkut. Shkak për vrasjen dyshohet të jetë bërë hakmarrja. Në tetor të vitit 2001, atij i vranë të birin, Endrit Bajrin.
21-vjeçari u ekzekutua aso kohe nga Xhabir Shega dhe Kujtim Barbullushi dhe Ilmir Hajdari.
Në 11 qershor të vitit 2015, Xhabir Shega, njëri prej autorëve, u qëllua me snajper nga kalaja e Rozafës teksa ndodhej në oborrin e banesës. Ai humbi jetën gjatë dërgimit në spital.
Vrasja mendohet se u porosit nga fisi Bajri, por një gjë e tillë nuk u faktua për shkak të të kaluarës kriminale dhe konflikteve të shumta që kishte Xhabir Shega.