Ekzekutimi i Delon Troqes, 20 të shoqëruar, ja pistat kryesore të hetimit
20 persona janë shoqëruar në polici pasi dyshohet se kanë lidhje me atentatin ndaj 38 vjeçarit Delon Troqe mbrëmjen e së premtes në Vlorë. Ata janë pyetur nga hetuesit lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe dijenine e tyre rreth konflikteve e perplasjeve të mundshme qe viktima kishte me persona të tjerë në qytetin e Vlorës.
Nga ana tjetër, policia sekuestroi edhe kamerat e sigurisë të bizneseve përreth vendit të ngjarjes. Ato pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e krimit të rëndë e sidomos mbi dy autorërt e dyshuar.
Delon Troqe, u ekzekutua para derës së biznesit të tij rreth orës 21:30. Ndaj tij u qëllua me breshëri kallashnikovi nga dy persona. Por një nga plumbat që e preku në kokë, dyshohet të ketë qenë fatal për jetën e tij.
Pas krimit, autorët janë larguar me një makinë tip “Audi” me targa të vjedhura në drejtim të zonës së Sherishtës në Vlorë, ku dhe i vunë flakën mjetit. Makina është djegur plotësisht, ndërsa brenda policia gjeti edhe 2 armë tip kallashnikov.
Burimet bënë të ditur se Delon Troqe sapo ishte kthyer nga Spanja, e po ashtu ishte një emër i njohur për policinë. Ai është edhe kushëri i Ervis Troqes, i zhdukur tre vite më parë, në verën e vitit 2018 në mes të Vlorës.
Hetimet janë fokusuar në përplasjet për trafikun e drogës si dhe hakmarrja për shkak të konflikteve personale.




