Autoritetet italiane kanë ekstraduar biznesmenin Bujar Shega, i njohur ndryshe me emrin Marsel Shega. 52-vjeçari u kap në Milano pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, pasi ka dyshime të forta se ai është i përfshirë në bandën famëkeqe të Suel Çelës në Elbasan.
Masa ndaj tij u firmos në nëntor të vitit të kaluar nga GJKKO, në kuadër të operacionit për goditjen e grupit kriminal që drejtohej nga Çela dhe vëllai i tij.
Biznesmeni nga Elbasani akuzohet për disa vepra penale, “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në kuadër të organizatës.
52-vjeçari është administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green, përmes të cilave dyshohet se pastronte paratë e disa grupeve, përfshirë të organizatës së Suel Çelës dhe gjithashtu të një grupi tjetër me bazë në Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme.
Sipas dosjes së SPAK, Bujar Shega ishte financieri i grupit kriminal që përmes bizneseve të tij dhe pasurive të tjera të investuara shërbente si lavatriçe për pastrimin e parave të drogës dhe të botës së krimit.
Referuar dosjes hetimore, Bujar Shega akuzohet se bashkë me persona te tjerë tentuan të trafikojnë 930 kilogramë kokainë drejt vendeve të BE-së nga Ekuadori.
Lënda narkotike u bllokua nga policia e ekuadorit në 13 dhjetor te 2020. Ndërkohë po hetohet nëse Shega ka qënë i përfshirë në atentatet dhe vrasjet e realizuara nga Suel Çela dhe anëtarët e tjerë të grupit.
Kujtojmë se Suel Çela u shpall në kërkim në maj të vitit 2022 në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.
Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit Çela dyshohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, vrasje që do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili në këtë atentat mbeti vetë i plagosur.
Gjithashtu pas zbërthimeve të aplikacioneve sky ecc dhe encro chat, u zbuluan komunikimet mes Sules Çelës dhe shokëve të tij për atentatin me spajper ndaj Ardjan Çapjas, ku ky i fundit mbeti i plagosur. Jo vetëm kaq, por në dosje doli në pah dhe lidhjet që Sule Çela kishte me zyrtarë të lartë të policisë në Elbasan dhe gjyqtaren Pajtime Fetahu.





