Subscribe

Gjatë vitit të shkuar, sipas INSTAT, Shqipëria përfitoi 440 miliardë lekë nga eksporti i produkteve shqiptare, një shifër që vjen në rënie me 9.5% krahasuar me vitin 2022, ose thënë ndryshe 47 miliardë lekë më pak.

Tkurrja e eksporteve shqiptare është edhe më e lartë se ajo e vitit pandemik 2020, kur rënia ishte në nivelin e 9%. Por pse sot përballemi me një situatë më të përkeqësuar?

“Ishin të pritshme sepse kursi i këmbimit ka ndryshuar mjaft dhe kjo ka forcuar ndjeshëm lekun. Për eksportet shqiptare në veçanti është një problem i madh sepse eksportet tona janë të bazuara jo mbi një cilësi të caktuar të mallrave që eksportojmë, por mbi një leverdi çmimi. Kur leku forcohet, produktet që eksportojmë bëhen më të kushtueshme dhe jashtë shtetit kanë më pak interes për të importuar produktet shqiptare”, thotë eksperti i ekonomisë Mateo Spaho.

Mes grupeve më të goditura nga rënia e eksporteve janë fasonët, të cilët mendojnë se situata mund përmirësohet pjesërisht pas ndërhyrjes së premtuar të qeverisë me garanci sovrane.

“Javën e ardhshme do të ngrihen dy tavolina pune për t’i dhënë shpejtësi, ritëm këtyre masave sepse garancia sovrane, nëse duhet të aplikohet, ka disa pasazhe ku duhet të kalojë, duhet të caktohen modalitetet dhe kriteret se kush do të përfitojë, në situatën ku jemi janë disa masa shumë të vonuara që kanë rënduar situatën dhe nuk mund të shpëtojnë të gjithë biznesin fason në Shqipëri”, thotë Florian Zekja, nga shoqata “Pro-Eksport”.

Veç eksporteve, në rënie gjatë vitit që lamë pas ishin edhe produktet që Shqipëria importoi nga jashtë.

“Në teori do të kishim më shumë leverdi për të importuar, por duhet parë rasti konkret se çfarë ka ndodhur. Kërkesa për import ka qenë më e kufizuar sepse vitin e kaluar mund të ketë qenë e influencuar nga kriza globale. Tani kemi një relaksim të situatës dhe importet kanë qenë më pak të ndikuara nga frika dhe janë furnizuar me më pak mallra, për të mos magazinuar me të njëjtën sasi”, shprehet Spaho.

Ekspertët vlerësojnë se nëse edhe në muajt në vijim kemi zvogëlim të mëtejshëm të importeve, atëherë sinjali që merr ekonomia shqiptare është që ka rënë konsumi. /vizionplus.tv

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *