Një shpërthim brenda rrethimit të burgut të Fushë-Krujës mbrëmjen e së mërkurës ka alarmuar autoritetet si dhe banorët e zonës përreth.
Dyshohet se një person ka hedhur një sasi me lëndë plasëse nga jashtë rrethimit të ambienteve të burgut, dhe është larguar menjëherë më pas.
Sasia e vogël e eksplozivit rezulton të jetë një krijim artizanal me nitrat dhe fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar.
Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori.
Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Ndërkohë grupi hetimor ka marrë të gjitha pamjet filmike duke përfshirë ato nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të ndihmuar në identifikimin e autorit.
Po ashtu të gjitha ambientet e brendshme të burgut i janë nënshtruar një aksioni kontrolli nga Drejtoria e Përgjithshme. Aktualisht janë mbi 350 persona në këtë burg të sigurisë së lartë.
Po ashtu të njëjta kontrolle janë kryer ë mënyrë të befasishme edhe në burgun e Durrësit. Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithsej 10 telefona celularë.
Sipas burimeve zyrtare, 2 prej aparateve janë zbuluar brenda qelive, ndërsa 8 të tjerë janë kapur në ambientet e jashtme të burgut, në tentativë për t’u futur në regjimin e brendshëm të sigurisë.
/vizionplus.tv





