Eksperti i qarkullimit rrugor, Fadil Likaj, ka ngritur shqetësimin për mungesën e rregullave të qarta në lidhje me përdorimin e patinave elektrike në Shqipëri.
I ftuar në Quo Vadis në Vizion Plus, Likaj theksoi se Kodi Rrugor nuk përcakton ende se në cilën kategori futen patinat elektrike, duke e bërë të vështirë edhe për prokurorinë të japë përgjigje të sakta në rastet e aksidenteve.
“Kodi Rrugor është rregull ku duhet të bazohen të gjithë. Por Kodi nuk e ka përcaktuar se në cilën kategori duhet të klasifikohen patinat elektrike. Kur ndodhin aksidente, prokurori më bën pyetje se në cilën kategori bën pjesë ky mjet dhe unë s’kam çfarë përgjigje t’i jap”, tha Likaj.
Ai shtoi se në Shqipëri mungon kultura e qarkullimit rrugor.
“Familjet në Shqipëri akoma nuk e kanë kulturën se çfarë do të thotë rregull i qarkullimit rrugor. Ne shohim në rrugë që të gjithë pozicionohen në krahun e majtë, kjo ka bërë rritjen e trafikut dhe të mundësisë për aksidente”, deklaroi eksperti.
/vizionplus.tv





