Eksperti i ekonomisë, Azmi Stringa deklaroi se borxhi publik në Shqipëri po shkon në nivele shumë të larta.

Në një lidhje për emisionin “7 pa 5” të gazetares Pranvera Borakaj, pedagogu i Fakultetit Ekonomik tha se borxhi publik, bashkë me detyrimet e prapambetura përllogaritet të shkojë në 90% të GDP.

Ndikim për këtë ka pandemia, por një pjesë të fajit ai e gjen edhe tek dështimi i qeverisë në realizimin e objektivave.

“Do të karakterizohemi nga një borxh shumë i lartë, mbi 75% sipas shifrave zyrtare, pa përfshirë këtu detyrimet e prapambetura që janë një risk real që janë krijuar dhe do të krijohen. PPP qeveria refuzon t’i anulojë dhe kemi edhe  një 6% nga tërmeti që është një angazhim që e ka marrë qeveria. Shqipëria po shkon diku tek mbi 90% që është diçka absurde për një vend si Shqipëria. Ne nuk kemi asnjëherë nivel kaq të lartë borxhi në Shqipëri. Në fund të vitit 2013 kur u ndryshua qeveria dhe u tha se arkat ishin bosh, ka qenë 72% niveli i vlerësuar, e cila përfshinte edhe detyrimet e prapambetura. Ne në 2018, bashkë me detyrimet e prapambetura borxhi publik ngeli po në nivelin 72%. Nuk arritëm ta ulim në 5 vjet. Objektivat sipas qeverisë ne vlerën e borxhit publik duhet ta kishim në fund të vitit 2020 në 55% të GDP. Vendet si Serbia arritën ta kryejnë këtë reformë dhe ta kishin këtë vlerë. Ne po ta bënim këtë do të kishim arritur që sot do të kishim një rritje të borxhit vetëm me 10% dhe do të ishim diku tek 65-70% dhe do të ihsim shumë komod për ta përballuar këtë situata.”

Pasojat që do të lërë kjo shifër kaq e lartë, sipas Azmi Stringës, do t’i vuajmë për të paktën katër vitet e ardhshme.

“Do të duhen 4 vjet për të ardhur në këtë nivel që ishim para COVID-it, jo për të shkuar edhe më mirë sesa kjo.”

Sa u takon paketave që ka injektuar në ekonomi qeveria për të dhënë një dorë për përballimin e krizës, eksperti u shpreh se ato janë vetëm 1% e GDP. Sipas tij, kjo është vlera më e ulët në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *