Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit për lekun pritet të lehtësojë kredimarrësit në monedhën vendase.
“Rënia e normës bazë të interesit favorizon huamarrësit në treg, individë, biznese, por nga ana tjetër edhe një klient të madh siç është qeveria. Është një ndër përfituesit kryesorë nisur edhe nga dimensioni i borxhit të brendshëm në lek. Është një sinjal i mirë për qeverinë sepse do të paguajë disa lekë më pak. Nëse do të pasohet me një ulje të mëtejshme të rënies së normës interesit, është gjithmonë në interesin e kredisë që do të ketë një shans për tu kredituar në mënyrë më pak të shtrënguar. Një kosto më e lirë e bën klientin më të prirur edhe për të rritur madhësinë e kredisë, por edhe më të lehtë për ta shlyer atë” tha Elvin Meka, ekspert i tregut bankar.
Nga ana tjetër, për ata që kanë depozita në lekë, vendimi i Bankës Qendrore do të ketë efekt negativ sepse do të ulë normat e interesit për ta.
“Në momentin që kemi një rënie të normës së interesit dhe sinjali i BSH në treg është që të nxitet konsumi dhe qarkullimi i parasë, mesazhi është për të dekurajuar kursimet. Ulja nuk është shumë e madhe, por bankat e pasqyrojnë shpejt ndryshimin e normave të reja të depozitva në lekë. Bëhet fjalë për depozitat e reja”, tha Meka.
Ekspertët vlerësojnë se Banka e Shqipërisë po bën lëvizje të kujdesshme dhe të sigurta për t’u siguruar që rënia e inflacionit është e qëndrueshme.
“Një masë e tillë mund të merrej ndoshta edhe më parë, por kam përshtyupjen që BSH kërkonte të sigurohej që ky inflacion në rënie të mund të kthehej në fenomen, të ishte fakt. Fakti që merren hapa të tillë, të vegjël, tregon që ekonomia nuk ka dalë ende nga ajo shkalla e kujdesit. Gjykohet që më mirë të merren hapa të kujdesshëm dhe të vegjël dhe ndoshta pak të shtyrë në kohë, nuk kemi pse të nxitohemi për të marrë një vendim reaktiv për uiljen e normës së bazë të interest”, shtoi eksperti Meka.
Një ditë më parë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit në 2.75%, pas tre muajsh që ky tregues mbahej i pandryshuar./vizionplus.tv