Subscribe

Prokuroria e Korçës ka zbardhur të tjera detaje lidhur me oficerin e policisë Edvin Meko, i cili edhe pse kultivonte vetë drogë, sinjalizonte kultivuesit e tjerë për aksionet e policisë në zonën e Kolonjës. Burime pranë grupit hetimor, thanë se gjatë nisjes së operacionit krahas nofkave për drogën, kultivuesit ishin kujdesur dhe për pseudonimet e policëve dhe i quanin ata “ujqër”. Prania e efektivëve vuri në lëvizje personat që administronin parcelat e hashashit, ku njerëz të tyre vrojtonin me dylbi lëvizjet e policisë. Kur kanë parë se ata po vinin drejt parcelave, megjithëse distanca ka qenë shumë e largët, kanë komunikuar me njëri-tjetrin me shprehje të tilla si “është një ujk i vjetër” dhe “është me dy tre ujq të tjerë”.
Kode të tilla përdoreshin për të mos u gjurmuar edhe pse Prokuroria ishte në dijeni të aktivitetit të tyre. Për oficerin e policisë të shpallur në kërkim, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kishte referuar informacione se prej 3 muajsh ai bashkëpunonte me kultivuesit e drogës në njësinë administrative Çlirim të rrethit të Kolonjës. Madje nga informacionet dhe provat e siguruara Meko kishte mbjellë parcela në vendin e quajtur si “Lagjia Ziskollarë” në fshatin Luaras. Parcela ishte ngjitur me një stallë bagëtish, e cila përdorej nga të afërm të Mekos. Deri më tani, policia nuk ka mundur të bijë në gjurmët e 35-vjeçarit për të cilin nuk përjashtohet mundësia të jetë larguar jashtë vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *