Pogradeci mirëpriti edicionin e katërt të maratonës Enkelana, një aktivitet sportiv ndërkombëtar që këtë vit mblodhi mbi 600 sportistë nga 40 vende të botës, duke shënuar një tjetër sukses në promovimin e qytetit dhe turizmit sportiv.
Gara u zhvillua në dy disiplina: 21 kilometra Lin–Pogradec dhe 11.5 kilometra Pogradec–Tushemisht, duke përfshirë itinerare piktoreske buzë liqenit dhe natyrës së pasur të zonës. Në garën kryesore triumfuan atletët nga Ukraina, Bogdan Semenovych për meshkuj dhe Natalya Semenovych, bashkëshortja e tij, për femra.
“Nuk ishte e lehtë, ishte një garë e vështirë, kjo edhe për shkak të temperaturave të larta. Unë isha i lodhur sepse dje kam bërë një garë, sot përsëri dhe nesër do të vrapoj. Është çështje pasioni. Është hera ime e dytë në Pogradec, jam kënaqur shumë. Nuk është se vrapova i vetëm, sepse edhe të tjerët ishin goxha mirë, por eksperienca fiton.”
“Është hera ime e parë në maratonën e Pogradecit. Më pëlqeu atmosfera festive këtu, ishte më tepër se një garë. Më pëlqeu shumë fakti që ju na trajtoni si miq sesa garues.”
Në këtë maratonë morën pjesë edhe shumë shqiptarë nga diaspora, si dhe atletë nga Kosova, të cilët udhëtuan enkas për të garuar në Pogradec.
Një risi e këtij edicioni ishte përfshirja e garave për grupmoshat 40, 50 dhe 60 vjeç, duke dhënë një mesazh të fortë se sporti nuk njeh moshë dhe se gara është për të gjithë. Maratona Enkelana vazhdon të jetë jo vetëm një aktivitet sportiv, por edhe një festë që lidh kulturën, natyrën dhe jetën aktive në qytetin buzë liqenit.
/vizionplus.tv





