Kryeministri Edi Rama është përplasur në rrjetet sociale me një prej politikanëve britanikë, Nigel Farage, për shqiptarët të cilët kanë emigruar në Britaninë e Madhe.
Kryetari i partisë “Reforma”, Nigel Farage, i cili i përket të djathtës ekstreme, deklaroi se në çdo 50 shqiptarë që jetojnë në Britani, një prej tyre ndodhet në burg, duke i kërkuar kryeministrit Edi Rama të marrë mbrapsht të gjithë shqiptarët.
Por shefi i qeverisë, Edi Rama, në një postim në rrjetin social X, hodhi poshtë këto shifra si të pavërteta, duke vënë në dukje se shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve është edhe më e ulët se ajo mes anglezëve.
“Epo, z. Farage — më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale. Pretendimi juaj se ‘një në 50 shqiptarë në Britani është në burg’ nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’
Por kur shikohen të dhënat reale — është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike — madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.”
Kryeministri Edi Rama ftoi deputetin britanik të ballafaqojnë shifrat dhe faktet për të kuptuar të vërtetën për shqiptarët.
“T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj ‘1 në 50’ del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për shoë, por zotohem publikisht. Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vend të kësaj do të merrni një ftesë për të ardhur në Shqipëri — si i ftuar nderi.”
Kryeministri Rama ftoi politikanin britanik të njohë Shqipërinë e shqiptarët.
“Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.”
Sulmet e deputetit britanik Nigel Farage kundër shqiptarëve dhe kryeministrit Edi Rama erdhën pas intervistës së liderit të mazhorancës Rama për “The Guardian”. Në këtë intervistë, kryeministri Edi Rama shpjegonte se kishte refuzuar propozimin e homologut britanik për të marrë emigrantë nga Britania. Në intervistën për “The Guardian”, Rama vuri në dukje se Britania e Madhe pas Brexit është shndërruar në një vend të errët.
/vizionplus.tv





