“Edi Rama dil nga vila”/ Pampuri: Mbyllja e farmacive është e papranueshme

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri e quan të tepërt vendimin për mbylljen e farmacive dhe shprehet se nuk mund të veprojnë me orare të kufizuara.
“Mbështes masat kufizuese të lëvizjes së qytetarëve, por mbyllja e farmacive është e tepërt dhe e papranueshme. Farmacitë ofrojnë shërbim jetik për qytetarët, shpesh të përafërta për nga rezultati me shërbimin e urgjencës. Ato nuk mund të mbahen mbyllur dhe as nuk mund të veprojnë me orare të reduktuara.Vendimet kaotike personale të Edi Ramës provojnë edhe njëherë paaftësinë e Qeverisë për menaxhimin sic duhet të situatës. Kjo është treguar qartë tek ndryshime 6 herë i rregullave të lëvizjes në vetëm 11 ditë. Atë që thotë paradite, e ndryshon pasdite. Improvizimet nuk shërbejnë në këtë situatë.”
Sipas saj, situata emergjente kërkon vendime të mirëmendura dhe që nuk sjellin kaos. Pampuri theksoi se ndryshimi i shpeshtë i kufizimeve të lëvizjes është joproduktiv.
“Situatat emergjente kërkojnë veprime të matura, të përgjegjshme, të qarta dhe jo kaotike. Qytetarët duhet të mësohen me rregullat, që ti respektojnë ato me përpikmëri dhe pa panik. Në këtë situatë nuk duhen vendime që merren aty për aty, por vendime të mirëmenduara dhe pas një analize profesionale të ekspertëve të fushës. Edi Rama dil nga vila dhe merr vendimet e duhura afatgjata në konsultim me ekspertët. Konsultimi me vetveten, i mbyllur në shtëpi dhe jashtë realitetit, nuk është aftësi, por papërgjegjshmëri.”




