Tashmë është zyrtare që nga janari, 7400 biznese do të dalin në treg të lirë të energjisë për ta blerë atë me çmimet e bursës. Komuniteti i biznesit apelon se ky vendim po merret në një kohë të papërshtatshme dhe të pakonsultuar me sipërmarrjen. Stefan Pinguli, prodhues, i ftuar në emisionin “E-ZONË” tha se ky proces do të shoqërohet me rritje çmimesh.

 

“Ne kemi nisur dhe do të vijojmë të rrisim çmimet, pasi kjo është një kosto e madhe për ne. Rritja do të jetë e përshkallëzuar, pasi nuk mund t’i rëndojmë klientët tanë në mënyrë të menjëhershme, ashtu siç po na rëndon ne qeveria me vendimin e saj.”

 

Sipas Pingulit, është e papranueshme që biznesi të mbajë kostot e çdo krize që prek vendin.

 

“Ra tërmeti, ne i përballuam vetë kostot; ra pandemia, ne mezi po marrim veten, tani ka krizë energjie dhe qeveria thotë se do ta mbani barrën ju. Ky është një qëndrim i papërgjegjshëm, pasi askush s’ka pyetur apo informuar lidhur me efektin që do të ketë ky proces”, u shpreh Pinguli në “E-ZONË”.

 

Komuniteti i biznesit kërkon që kjo masë të shtyhet në kohë, deri në një stabilizim të çmimeve në tregun e energjisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *