Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të marte në fshatin Metoq të Sarandës, ku një 49-vjeçare goditi për vdekje me sopatë bashkëshortin e saj.
Elvira Tahiri masakroi bashkëshortin e saj, Llazar Tahiraj, në banesën e tyre, teksa 55-vjeçari ishte në gjumë.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pasi janë njoftuar për krimin, kanë arrestuar 49-vjeçaren në ambientet e Komisariatit të Sarandës.
Mësohet se çifti Tahiraj kishte 3 vajza, dy prej të cilave janë të martuara. Dyshohet se autorja, Elvira Tahiraj, vuante nga çrregullime të shëndetit mendor dhe kohët e fundit çifti kishte pasur disa herë debate mes tyre.
Megjithatë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
“Në orët e para të mëngjesit, në fshatin Metoq, Sarandë, dyshohet se gjatë një konflikti në familje, shtetasja E. T., 49 vjeç, ka vrarë me sopatë bashkëshortin e saj, shtetasin Ll. T., 55 vjeç, në banesën e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar autoren e dyshuar në ambientet e Komisariatit të Sarandës për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv





