Subscribe

Sikundër paralajmëroi në emisionin “Quo Vadis”, kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Kodin Zgjedhor, i cili u miratua në Kuvend.

Për Patozin, votimi i të hënës ishte një akt burracak dhe kundër interesit publik, i cili ka dëmtuar klimën politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.

Patozi argumentoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor cenojnë marrëveshjen e 5 qershorit.

 

“Sipas nesh, ato janë në shkelje flagrante të ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, ndryshe nga sa pretendojnë të tjerë, sipas të cilëve përmes tyre është cënuar marrëveshja e 5 qershorit. Ky qëndrim rrjedh, jo thjesht se kemi qenë gjithmonë kundër kësaj të fundit, por sepse kushtetuta vjen në të gjitha rastet përpara çdo ligji apo marrëveshjeje politike, kushdo qofshin nënshkruesit apo dorëzënësit e tyre. Ne e konsiderojmë Kodin Zgjedhor, të miratuar në mënyrë të njëanshme, si tradhti të aspiratës së mbi 80 përqind të shqiptarëve, të shprehur qartë pro listave të hapura, më shumë se sa pabesi ndaj disa forcave të caktuara politike, ku, po të doni, mund të fusni edhe BINDJEN DEMOKRATIKE.”

 

Ai shprehet i bindur për të vijuar betejën politike dhe juridike të kësaj çështjeje, derisa qytetarët shqiptarë të arrijmë të votojnë jo vetëm për partitë, por edhe për deputetët që zgjedhin.

 

“Në funksion të këtij qëllimi, do t’i drejtohemi mënjëherë Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë, sapo ndryshimet e miratuara të hënën të hyjnë në fuqi.  Për ne nuk ka shumë rëndësi fakti që aktualisht shqyrtimi i saj është i pamundur, pasi jemi të bindur se, kurdo që ajo të nisë funksionimin, nuk ka vendim tjetër për të marrë, përvec se ta rrëzojë Kodin e Edi Ramës. Për këtë kemi shfrytëzuar mundësinë që na jep kushtetuta, me atributin e një partie politike për një çështje që na intereson drejtpërdrejt, sepse ka të bëjë me zgjedhjet. Ne mendojmë se të gjitha subjektet, që kanë mundësi ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për këtë rast, përveç kryeministrit, do të ishin plotësisht të legjitimuara të bënin të njëjtën gjë, aq e rëndë dhe flagrante është shkelja.”

 

Përmes kësaj kërkese, Patozi theksoi se BD synon që të shpëtojë zgjedhjet e 25 prillit.

 

“Ky është një skenar që varet nga koha kur Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale dhe ne shpresojmë që ky afat të mos tejkalohet.  Në rastin më të keq, që Gjykata Kushtetuese të zvarritet qëllimisht nga ata që po e mbajnë peng prej kohësh krijimin e saj, kurdo që ajo të mblidhet, do të vendosë në dobi të vullnetit të qytetarëve shqiptarë për lista të hapura. Kauza e ndryshimit të sistemit politik dhe çlirimi nga kryetarokracia, si një regjim i korruptuar dhe antidemokratik, ka qenë dhe do të mbetet objektivi kryesor i BINDJES DEMOKRATIKE, që nga dita e themelimit të saj dhe ai do të mbetet i tillë edhe përtej zgjedhjeve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *