Kryeministri Edi Rama theksoi ndryshimet e mëdha që ka pësuar Shqipëria që nga Samiti i parë i Diasporës, duke e cilësuar vendin sot “shumë më ndryshe” në çdo drejtim.
Sipas tij, ekonomia shqiptare ka njohur një rritje të ndjeshme. Nga më pak se 10 miliardë euro prodhim i përgjithshëm kombëtar në fillim të këtij rrugëtimi, sot ai ka arritur në 27 miliardë euro, ndërsa objektivi është që deri në fund të dekadës të shkojë në 35 miliardë euro.
Rama nënvizoi gjithashtu përmirësimin e të ardhurave për frymë, të cilat janë rritur nga më pak se 3 mijë euro në vit në mbi 11 mijë euro aktualisht. Sipas tij, synimi i qeverisë është që deri në vitin 2030 kjo shifër të kalojë 15 mijë euro në vit.
Një tjetër tregues i rëndësishëm i zhvillimit, sipas kryeministrit, është turizmi. Nga rreth 2 milionë turistë në fillim, Shqipëria sot pret rreth 12 milionë vizitorë çdo vit. Paralelisht, edhe investimet e huaja kanë shënuar rritje të fortë, duke kaluar nga 300–400 milionë euro në vit në rreth 1.6 miliardë euro.
Këto shifra, sipas Ramës, dëshmojnë transformimin e Shqipërisë dhe progresin e saj të vazhdueshëm në ekonomi dhe zhvillim.
“Sot Shqipëria është shumë më ndryshe nga Samiti i parë i Diasporës. E nisëm me më pak se 10 miliardë euro prodhim të përgjithshëm kombëtar; sot prodhimi i përgjithshëm kombëtar është 27 miliardë euro. Në fund të kësaj dekade synojmë ta çojmë në 35 miliardë euro.
E nisëm rrugëtimin tonë me të ardhura për frymë më pak se 3 mijë euro në vit dhe sot jemi mbi 11 mijë euro në vit. Synimi ynë është që në vitin 2030 të jemi me mbi 15 mijë euro në vit.
E nisëm rrugëtimin tonë me 2 milionë e ca turistë, ku edhe paraardhësi im në zyrë e numëronte veten si turist sa herë kthehej nga udhëtimet e punës. Në atë kohë Shqipëria kishte 300–400 milionë euro investime të huaja në vit. Sot Shqipëria ka 12 milionë turistë dhe ka kaluar 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit.”
/vizionplus.tv





