Aldo Avdylaj, një nga personazhet më të njohur të botës së krimit, është arrestuar nga policia pasditën e të hënës.
Ishin forcat elitë të RENEA që ndërhynë në apartamentin ku fshihej Aldo Avdylaj, nipi i Astrit Avdylajt. Ai qëndronte prej disa kohësh në zonën e Liqenit të Thatë ne Tiranë.
Këto janë pamjet e prangosjes së tij nga RENEA ku shihet 37-vjeçari i shtrirë në tokë, ndërkohë një pistoletë i është gjetur poshtë jastëkut.
Arma e gjetur në shtratin e Avdylajt është sekuestruar bashkë me municion luftarak. Ai akuzohet si pjesë e grupit që mori pjesë në ekzekutimin e Edmir Bregut në Durrës.
Kujtojmë se grupi i drejtuar nga Astrit Avdylaj, Aldo Avdylaj dhe Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut u godit nga autoritetet para pak kohësh.
Grupi prej vitesh ishte një nga më të fuqishmet në qarkun e Durrësit, ku SPAK pas zbërthimit të aplikacioneve SKY ECC zbuloi vrasje me pagesë si dhe tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit.
Në operacionin e pak ditëve me pare u arrestua Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, Vullnet Muça, vëllai i Rrumit të Shijakut, ndërkohë ky i fundit ende nuk është kapur. Krahas tij janë edhe dy persona të tjerë janë në kërkim.
SPAK e ka ndarë hetimin në dy çështje. Përmes zbërthimit të aplikacionit Sky ECC, është zbardhur vrasja për hakmarrje e Edmir Bregut. Sipas SPAK, Astrit Avdylaj urdhëroi ekzekutimin në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Aldo Avdylaj.
Në këtë krim, sipas hetuesve të posaçëm ka ndihmuar edhe Enea Kume vëllai i deputetit të PS, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë Alfred Doka i cili është në kërkim.
Pjesa e dytë e dosjes ka të bëjë me pronat në Gjirin e Lalzit ku SPAK ka zbardhur falsifikimet për tjetërsimin e pronave në bregdet. Disa dokumente të gjetura në automjetin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, tashmë deputet i PD, ditën kur iu bë atentat në nëntorin e vitit 2019 teksa ndodhej nën shoqërinë e Aleksandër Lahos, ndihmuan SPAK të zbardhte skemën e mirëfilltë të përvetësimit të pronave shtetërore në bregdetin e Durrësit.
Në krye të këtij grupi sipas SPAK është Rrumi i Shijakut. Ai ka falsifikuar dokumente të ndarjes së tokës në disa fshatra në Gjirin e Lalzit, madje ka arritur deri aty sa të zëvendësojë dokumentet e sakta me ato të falsifikuara në institucionet shtetërore. Disa prej këtyre pronave ishin vendosur në emër të disa qytetarëve të zonës, të cilët nuk kishin asnjë ide se ishin pronarë tokash.





