Për atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja dëshmoi në Gjykatën e Posaçme, bashkëpunëtori i drejtësisë, Erjon Alibej, që ka zbardhur një sërë krimesh për dosjen “Plumbi i Artë”. Nën akuzë për organizimin e atentatit të 1 nëntorit te mbikalimi i Shkozetit është vënë Plaurent Dervishaj, për të cilin thotë se i ka treguar detaje në Sky Ecc dhe Enchro Chat.
Erjon Alibej: Më thotë Plarenti që e kam shok të ngushtë Redjan Rrajën, dhe donte të futej në makinë me zor që të merrte pjesë dhe ai. Plarenti më thotë që jam duke u interesuar për të fshirë provat në laborator. Më tha që i kishin kërkuar 300 mijë € dhe po priste përgjigje. Kjo ka qenë pjesa kur Redjan Rraja është përmendur për herë të parë. Unë i dërgoja informacione Plarentit, sepse në atë periudhë donin të me ekzekutonin me snajper. Në bisedë e sipër diskutuam që prokurori Ndoja shkon në një lokal te Gjiri i Lalëzit dhe më ka folur për plane që ta ekzekutonin me snaiper aty.
Sipas të penduarit të “Plumbit të Artë” marrëdhënia mes tyre përfundoi kur Plaurent Dervishaj i dërgoi atij një mesazh në qeli përmes miqve të tij. Erjon Alibej thotë se nga burgu 302 përgjoi Redjan Rrajën dhe Viktor Ymerin të flisnin për të dhe për kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani kur fitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Erjon Alibej: Pas arrestimit tim, nuk kam patur komunikim për Plaurentin. As me Redjan Rrajën, por në burgun 302 ku unë kam qenë i akomoduar, kanë qenë dhomat e regjimit të mirë. Ngjit me dhomën time, ka ardhur Viktor Ymeri, mbi dhomën e tij ka qenë Redjan Rraja. Redjani doli nga dritarja dhe bëri një bisedë me Viktorin. Më kujtohet një bisedë, sepse është institucion i vjetër dhe dëgjohet gjithçka. Viktori e pyet si po ju shkon procesi, Redjani i thotë “po interesohet shoku”. Unë e kuptova direkt që iu referua Plarentit. “Është njeri që po bën namin në SPAK, iu referonte prokurorit Altin Dumani, po flet gjithçka”. Dërgojini fjalë aty ku i dhëmb më shume i tha, te familja. Dhe përmendi “Krymin” e kishte fjalën për mua. Redjani me Viktorin më shante dhe mua dhe prokurorin.
Këto deklarata shkaktuan tensione në seancë, teksa Plaurent Dervishaj iu drejtua Alibejt me fjalë ofenduese, e më pas u përjashtua nga gjyqi. Një javë më parë vetë Ndoja dha deklarimet e tij për gjykatën e posaçme kur perjashtoi konfliktet e mundshme që mund të kenë shërbyer si shkak për organizimin e atentatit të 2019 tek Ura e Shkozetit. Sipas Arjan Ndojës goditja ka qenë për shkak të detyrës./vizionplus.tv





