Autoritetet e sigurisë së Kosovës, evakuuan deputetët, mediat dhe të gjithë të pranishmit e tjerë nga ambientet e Kuvendit pas nja alarmi kërcënimi paraditen e kësaj të shtune. Ngjarja ndodhi pak para nisjes së seancës së radhës që ishte planifikuar të mbahej këtë të shtunë.
Policia konfirmoi se kishte marrë informacione përmes një mesazhi që thoshte se një mjet shpërthyes ishte vendosur në godinën e Kuvendit.
Hetuesit dhe forcat speciale mbërritën në parlament për të bërë veprimet dhe kontrollet përkatëse.
“Policia kërkoi evakuimin e të gjithëve nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit, sepse një person ka bërë një telefonatë në gjuhën anglez duke kërcënuar se një bombë e vendosur brenda ndërtesës së Kuvendit do të shpërthejë brenda 10 minutave”, tha Arben Loshi, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Kuvendit.
Pas alarmit për bombë seanca e 42-të e planifikuar për ditën e sotme do të zhvillohet në mbrëmje në orën 20:00. Seancat në Kuvendin e Kosovës po vazhdojnë në përpjekje për të arritur konstituimin mes ngërçit të krijuar dhe moskompromisit mes partive, 4 muaj pas zgjedhjeve./vizionplus.tv