Subscribe

Të tjera detaje tronditëse zbulohen mbi ekzekutimin mafioz të biznesmenit Pashk Ujka, i cili u qëllua për vdekje me një pistoletë me silenciator në afërsi të banesës së tij në qytetin e Shkodrës.

 

Në dosjen hetimore që Vizion Plus disponon, janë të detajuara të gjitha lëvizjet e fundit të ish-deputetit Ujka. Ky i fundit ishte në shoqërinë e bashkëshortes dhe të vëllait Gjek Ujka. Më pas i vëllai i ish-kreut të komunës së Velipojës është ndarë nga çifti Ujka.

 

Ndërsa ish-deputeti, së bashku me gruan mori rrugën në drejtim të lulishtes pranë Kishës Ortodokse. Pikërisht në këtë vend Pashk Ujka bleu një paketë cigare në një kioskë dhe u nis drejt banesës së tij. Në momentin kur kaluan pranë shatërvanit, kamerat e sigurisë së një banke të nivelit të dytë, filmuan autorët që i afrohen me hap të shpejte dhe qëllojnë mbi të.

 

Duke iu referuar po këtyre pamjeve filmike, hetimet zbuluan se autorët ishin të veshur me të zeza dhe ishin trupa të mbushur, të ngjashëm me dy të arrestuarit. Ata mbanin kapele të zezë me strehë, doreza dhe maskë kovidi. Po në këto pamje duket qartë se autori mban në duar një qese të bardhë që mbulonte një çantë, ku dyshohet se ishte fshehur arma e krimit. Përdorimi i qeses, për hetuesit shpjegon edhe mungesën e gëzhojës në vendngjarje.

 

Pista kryesore e hetimeve mbetet ajo e përplasjes të Pashk Ujkës Aleksandër Kelmendin babain e të arrestuarit Kristian Kelmendi. Kjo për shkak të prishjes së pazarit për blerjen e një apartamenti të ndërtuar nga viktima. Sipas djalit të biznesmenit të vrarë, babai i tij kishte nxjerrë jashtë nga banesa Aleksandër Kelmendin, pasi nuk i kishte paguar paratë për shtëpinë. Ndërsa në deklaratën e tij Kristian Kelmendi ka thënë se familja e tij i kishte dhënë një shumë prej 20 mjë eurosh viktimës.

 

Një tjetër provë e fortë është gjetja e barutit në gishtat e Kristian Kelmendit dhe Marjan Kolës. Të dy të arrestuarit pretenduan se ditën e vrasjes ishin në Kosovë. Sa i takon barutit, ata deklaruan se ishin në një poligon qitjeje.

 

Dy të rinjtë u ndaluan në Morinë më 30 nëntor, ndërsa po hynin në Shqipëri me një makinë private. Referuar sistemit TIMS, Kristiani rezulton në Shqipëri pasi është futur më datë 24 nëntor dhe më pas sërish më datën 30 nëntor. Gjykata e Shkodrës i la në burg me afat 30 ditë për dy të rinjtë, ndërkohë që pritet të shqyrtohen si provë materiale pamjet filmike në poligonin e qitjes në Kosovë si dhe përgjigjet e laboratorit kriminalistik.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *