Policia e Shtetit procedoi penalisht 11 persona të identifikuar si organizatorë, të cilët iu përkasin dy tubimeve të zhvilluara njëkohësisht, para Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Arsimit.

Grupi i parë i protestuesve që ishte mbledhur para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përbëhej nga disa punonjës të Shoqatës së Transportit Publik, të cilët kërkon një pagë shtesë dhe rifillimin e punës. Ndërsa, grup i studentëve që ishin mbledhur për të protestuar para Ministrisë së Arsimit, kërkonin uljen e tarifave të studimit.

“Gjatë zhvillimit të tubimeve, në të dy rastet, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, ka bërë thirrje me megafon që protestuesit të shpërndahen, të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, duke i paralajmëruar se në rast mosbindje, do të ndërhyjë në bazë të ligjit. Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 7 persona si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 4 të tjerë si organizatorë të tubimit te Ministria e Arsimit, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e institucioneve, aq me tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet”, thuhet në njoftim.

Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, në ngarkim të 11 personave të identifikuar si organizatorë, për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *