Dy ngjarje të rënda me pasojë vdekjen janë shënuar brenda 24 orëve në vend, duke tronditur opinionin publik. Të dyja krimet dyshohet se kanë ndodhur pas konflikteve të çastit për motive banale, ndërsa autorët janë shpallur në kërkim nga policia.
Vrasja në rrugën “Kongresi i Lushnjës”
Lexo edhe :
Related Posts
Egli Pashollari, 31 vjeç, mbeti i vrarë pasditen e 20 shkurtit, rreth orës 15:40, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. I riu humbi jetën si pasojë e goditjeve me thikë, të cilat rezultuan fatale.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti nisi pasi viktima kishte bllokuar rrugën me automjetin e tij, duke u bërë shkak për një përplasje me Gazmend Buçpapën, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se mes dy personave ka pasur një debat verbal, i cili më pas degradoi në përplasje fizike. Gruaja e autorit të dyshuar është marrë në pyetje nga oficerët e policisë dhe ka deklaruar se sherri nisi për shkak të bllokimit të rrugës.
Sipas dëshmisë së saj, bashkëshorti kishte shkuar për ta marrë në punë, në zonën e ish-Parkut, ku ajo punon si menaxhere në një market, për ta shoqëruar më pas për një vizitë mjekësore. Ajo ka pohuar se pasi hipi në automjet, rruga ishte e bllokuar nga makina e viktimës. Kjo dëshmi rrëzon dyshimet e para se konflikti mund të kishte nisur për shkak të një ngacmimi nga ana e viktimës ndaj saj.
Mësohet se Buçpapa i ka rënë borisë për t’i kërkuar hapjen e rrugës, por situata është përshkallëzuar kur Pashollari ka dalë nga automjeti dhe ka ofenduar autorin e dyshuar. Në vijim, konflikti ka kaluar në përplasje fizike, ku 31-vjeçari është goditur me thikë, plagë që i morën jetën.
Vrasja në Kavajë
Pa kaluar ende 24 orë nga kjo ngjarje, një tjetër vrasje me thikë u regjistrua në Kavajë. Rreth orës 14:22, Alket Isufi, 47 vjeç, u godit për vdekje.
Autor i dyshuar është Land Puja, i njohur edhe si Land Derjaj, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur pasi viktima kishte parkuar automjetin pranë banesës së autorit të dyshuar. Ky i fundit i ka kërkuar 47-vjeçarit ta largonte makinën me pretendimin se i kishte bllokuar hyrjen.
Kërkesa ka sjellë një debat verbal mes tyre, i cili ka degjeneruar në dhunë. Dyshohet se gjatë përplasjes, Puja ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur Isufin dy herë në zemër. Si pasojë e plagëve të marra, 47-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa autori është larguar.
Policia vijon operacionet për kapjen e dy autorëve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të dy ngjarjeve janë në vijim.







