Një 27-vjeçar me precedent të theksuar kriminal është arrestuar nga forcat e policisë pas një ndjekje që zgjati afro 10 minuta në Tiranë.

Forca e posaçme “Shigjetat” konstatuan fillimisht një mjet që ka ndaluar 100 metra larg pikës së kontrollit te pallati me shigjeta.

 

Drejtuesi i mjetit ka dalë nga mjeti dhe ka ikur me vrap duke mbajtur një çantë në dorë. Menjëherë punonjësit e Policisë së forcës së posaçme “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të personit, i cili kur ka parë që po e ndiqte Policia ka hedhur në një kosh armën e zjarrit dhe është larguar me shpejtësi.

 

Pas afro 10 minuta ndjekjeje, “Shigjetat” kanë kapur dhe prangosur shtetasin Ledjan Kadilli, 27 vjeç, banues në Durrës.

 

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me fishekë luftarak.

 

Kadilli është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe nga verifikimi i kryer ka rezultuar se ai ishte person i shpallur në kërkim,  për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

 

Gjithashtu ndaj 27 vjecarit Prokuroria e Durrësit ka dërguar për ekzekutim urdhër-ndalimin në mungesë, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë të rendit publik” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *