Sheshi “Liria” në Durrës u kthye mbrëmjen e djeshme në një skenë ndërkombëtare që solli për artdashësit më të mirën e folklorit të disa grupeve nga vendeve të ndryshme evropiane.
Bulevardi “Epidamn” u pushtua nga veshjet tradicionale popullore të grupeve nga Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Izraeli, të cilët pas paradës në qytet u ngjitën në skenë për të përcjellë për publikun më të mirën e këngëve dhe valleve tradicionale të vendeve të tyre.
Risia e mbrëmjes së djeshme ishte një grup kërcimi nga Izraeli, i cili përbëhej nga valltarë të zakonshëm si dhe 6 persona me aftësi të kufizuar, të cilët e realizuan shfaqen e tyre në karrige me rrota.
Koreografi i këtij grupi Romi Siman tha se vijnë në Durrës me një koreografi speciale:
“Ne vijmë për herë të parë në Durrës dhe kemi një grup shumë special për këtë shfaqje, pasi në përbërje kemi edhe persona me aftësi të kufizuar që do të performojnë në karrige me rrota. Shqipëria është një vend shumë I bukur dhe na pëlqen shumë mirësjellja e shqiptarëve. Falenderojmë organizatorët që na ftuan në këtë festival”, tha Romi Siman, koreograf grupi nga Izraeli
Me këto shfaqje, qyteti bregdetar është kthyer kështu në një skenë të madhe të kulturës dhe traditës dhe në një pikëtakim të kulturave të ndryshme. Përmes këtyre aktiviteteve synohet forcimi i miqësisë dhe mirëkuptimit mes popujve, duke bashkuar në të njëjtën skenë grupe folklorike, kore, banda frymore, orkestra dhe artistë të zhanreve të ndryshme të vallëzimit.





