Dumani: Qendra e grupit kriminal Durrësi! Proda: Operacioni nuk u dekonspirua. Mara: Një person transferonte paratë në kripto

Një operacion i gjerë ndërkombëtar antidrogë, rezultat i një hetimi të përbashkët mes Prokurorisë Antimafia të Barit dhe Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri, ka zbuluar rrjetin e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë dhe më tej në disa vende të Bashkimit Evropian dhe Amerikën e Jugut.
Në një konferencë për mediat, për të dhënë detaje lidhur me operacionin ka dalë kreu i SPAK, Altin Dumani, Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani si dhe prokurori Vladimir Mara. Dumani deklaroi se është goditur një prej grupeve kriminale më të fuqishme në vend.
Ndërsa të pyetur se kush janë drejtuesit e këtij grupi kriminal, prokurori Mara tha: 29 masa sigurie në Shqipëri, të gjitha arrest me burg, në Itali kanë qenë 22 masa sigurie. Janë ekzekutuar gjithsej 40 masa sigurie. Ne kemi parë që ka pasur një organizim të mirëfilltë kriminal, por që në vetvete ka pasur tre nënndarje të tjera, të cilët kishin aktivitete kriminale nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Evropës, Italisë dhe Shqipërisë. Të gjithë kishin rol më vete. Disa prej masave të sigurisë janë vendosur për personat që bënin të mundur transferimin e parave në drejtim të Shqipërisë dhe për një shtetas që bënte transferimin e parave në kripto.
Dumani: Kemi dhe një urdhër ndalimi.
Prokurori Mara bëri me dije se në këtë aktivitet kriminal janë përfshirë edhe dy punonjës të Policisë së Shtetit, por pa dhënë më shumë detaje.
Mara: Kemi pasur disa episode të shtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve shtetërorë për të cilët do të kemi një hetim më të thelluar. Kemi pasur dy punonjës të policisë së shtetit, njëri prej tyre në një pozicion të rëndësishëm. Sa i përket personave për të cilët janë ekzekutuar masat, për sa kohë janë pjesë e grupeve kriminale, roli i tyre është i rëndësishëm. Janë kapur dhe organizatorët, por për 10 prej tyre nuk janë ekzekutuar masat e sigurimit.
Ku është baza e këtij grupi? A ka dyshime për dekonspirim?
Dumani: Grupi ynë i hetimit dhe kolegët italianë konkludojmë që është një nga grupet më të rëndësishme, që nga të ardhurat që sigurojnë, aftësia për të trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë…qendra e grupit ishte qyteti i Durrësit. Sa i takon emrave ne kemi një politikë që nuk japim gjeneralitet të personave që arrestohen.
Proda: Policia e Shtetit është përfshirë dje në fazën e ekzekutimit të masave. Sa i përket pjesës së dekonspirimit, për mua nuk ka pasur asnjë problem./vizionplus.tv




