Ishte nisur për të marrë pjesë në një dasmë, por një plumb në këmbë i pamundësoi pjesëmarrjen. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 gushtit rreth orës 21, një njësinë administrative Postribë në Shkodër, ku i plagosur mbeti Çel Shabaj, 43 vjeç. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës dhe pas dhënies së ndihmës nga bluzat e bardha tashmë është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë policia menjëherë pas plagosjes arrestoi autorin e dyshuar, Kristjan Kakija, të cilit efektivët arritën t’i sekuestrojnë edhe armën.
Bashkë me autorin u shoqëruan edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në automjet me të. Çel Shabaj po dilte nga banesa e tij në Postribë dhe në atë moment ka qenë duke ardhur nga Prekali në drejtim të Postribës autori i dyshuar së bashku me dy shokët e tij.
Në atë moment nisi debati mes tyre se kush duhej të kalonte. Sipas burimeve nga grupi hetimor Kristjan Kakija, pasi u largua vetëm disa metra u kthye edhe njëherë dhe nxori armën duke plagosur 43-vjeçarin.
Në konflikt ndërhynë pjesëtarë të tjerë të fisit Shabaj, të cilët u përfshinë në një përleshje fizike.
Një nga të afërmit e të plagosurit arriti t’ia heq armën nga dora autorit, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Pak minuta nga plagosja policia përmes forcave “Shqiponja” arriti që të arrestojë Kristjan Kakijan. /vizionplus.tv





