Pas arratisjes si nëpër filma, prokuroria e Durrësit po heton kushtet e sigurisë në të cilat mbahej një i pandehur me rrezikshmëri të lartë si Altin Ndoci i cili ndodhej në qelitë e Durrësit dhe jo në një burg të sigurisë së lartë.
Hetimet gjithashtu janë përqëndruar në gjurmimin e dinamikës së ngjarjes, masat e marra gjatë nga shoqërimit të tij drejt spitalit dhe qëndrimin e tij në këtë ambient.
Ndërkohë në Gjykatën e Posaçme seanca e Plumbit të Artë nisi duke vënë në pah mungesën e Altin Ndocit, që iku pa gjurmë.
Drejtoria e Burgjeve i kishte njoftuar zyrtarisht togat e zeza për arratinë e Altin Ndocit, ndërsa shkresa e këtij insititucioni u lexua gjatë procesit gjyqësor.
“Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Është shpallur në kërkim nga policia”, citoi gjykata.
Ndërkaq, edhe avokati i tij, Aldo Shkëmbi bëri një deklaratë për mediat.
“Duhet të deklarohet fakti nëse i fshihet ose jo drejtësisë, që më pas të vazhdojë gjykimi në mungesë. Kemi pasur marrëdhënie formale dhe profesionale. Nuk kemi pasur as takim fizik dhe as telefonik”, tha ai.
Trupi gjykues vendosi që seanca e kësaj të enjteje të shtyhet derisa Policia e Shtetit ta pajisë Gjykatën me shkresën zyrtare që provon se Altin Ndoci nuk ndodhet në adresën e tij të ligjshme, që është shtëpia e tij.
Seanca e radhës është në 20 janar. Altin Ndoci i shpëtoi policisë së burgjeve të martën e 13 janarit, duke u arratisur nga Spitali Rajonal i Durrësit.
Kjo shkaktoi shkarkimin e gjithë zinxhirit komandues të burgut të Durrësit, ndërkohë që tetë policë të këtij institucioni janë arrestuar dhe pritet të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.





