Kreu i PS-së, Edi Rama ditën e sotme është ndalur në Librazhd ku ka zhvilluar një takim electoral me banorët e zonës. Shefi i qeverisë shqiptare ka ironizuar deklaratën e drejtuesit politik të PD-së në qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, i cili disa ditë më parë tha: Rama është fshehur duke bërë monolog me mikrofon para pasqyrës se ka frikë të përballet. Po deshi le të dali me mua se unë kam qejf ta ha të gjallë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha me ironi se ishte i frikësuar nga kjo deklaratë teksa po udhëtonte sot drejt Librazhdit.
Më tej, duke u ndaluar te zgjedhjet e 11 majit, kryeministri tha se është e rëndësishme që vota të shkojë për PS, madje edhe personat që mund të jenë në anë të kundërt, duhet të binden dhe të votojnë Partinë Socialiste.
Rama: Erdha me frikë sot, se ka dalë njëri këtej që do na hajë të gjallë. Isha gati të kthehesha…s’po e shoh gjëkundi atë. Sot kemi dhe një takim të madh përmbyllës në Elbasan. Duke ju parë kaq shumë edhe mua më del pak frika. Ai kur thotë “do hamë”, ai ha me gjithë mend. Dua të bëj një pasqyrë mbi Shqipërinë sot dhe arsyeve që kemi për të besuar se çfarë do të bëjmë për Shqipërinë nesër. Ky është një moment i rëndësishëm dhe është e nevojshme të bëjmë përpjekjet që çdo shqiptar, i cili ka të drejtën e votës dhe mund të jetë ngurrues e në anën tjetër, të bindet që më 11 maj të na bashkohet. Shumica e shqiptarëve e dinë çfarë duhet të bëjnë, e dinë që vendi po shkon në drejtimin e duhur, e dinë që ekonomia është përmirësuar dhe do të përmirësohet më shumë në vazhdim. Të gjitha ato që duam do të vijnë duke u mbështetur te njëri-tjetri me Partinë Socialiste./vizionplus.tv





