Autoritetet në Kosovë deklaruan sot se hapësira ajrore e vendit është shkelur nga dronë të dyshuar të futur nga Serbia. Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha këtë premte për mediat se misioni paqeruajtës i NATO-s është vënë në dijeni për këto shkelje.
Ndërkohë Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, bëri me dije se nuk ka vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë e gjithë vendit.
Analisti Ylli Hoxha komentoi në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me gazetaren Melisa Mehmetaj zhvillimet e fundit. Ai foli për tensionet aktuale si dhe për ngërçin në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas tij, është jetike që institucionet e Kosovës të reflektojnë, pasi vendi nuk ka luksin të përkeqësojë marrëdhëniet me aleatin e saj më të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Intervista e plotë:
-Çfarë fshihet pas ngjarjeve të fundit në veri?
Hoxha: Nuk është vetëm veriu. Pretendimet janë se ka pasur në disa lokacione hyrje të dronëve nga Serbia. Një prej tyre është në rrethin e Podujevës. Duket se ka konfirmime të pretendimeve. Ajo që vërehet në deklaratën e KFOR nuk është mohim i ekzistencës së dronëve, por i ekzistencës së dronëve që mund ta rrezikojnë sigurinë e Kosovës. Pra mund të jenë dronë që nuk janë ushtarakë, mund të jenë dronë për përdorim civil. Por duket se ka pasur incidente të tilla. Tani mbetet të shihet në ditët e arshdhme për tu zbardhur gjithë ngjarja dhe të shohim se të kujt kanë qenë.
-Si mund t’i bëjë ballë Kosova provokimeve në një kohë kur marrëdhëniet me SHBA janë të ngrira?
Hoxha: Ndonëse kemi një ngërç marrëdhëniesh, mendoj që Kosova ka një situatë krejt ndryshe në raport me SHBA dhe Perëndimin. Sepse në vija të trasha të politikave është më e avancuar se disa nga vetë shtetet e BE-së sa i përket raporteve të saj gjeo-strategjike. Kurti ka hyrë në një ngërç me motive të mbijetetës politike, se sa të aspiratave reale për të bërë gjë. Konflikti besoj se ka eskaluar, sipas pretendimeve të një zyrtari të lartë, është prekur linja e kuqe, pako e Ahtisaarit.
-Kishte një paralajmërim nga DASH para dy ditësh…
Hoxha: Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë një sërë me kryesinë e Kuvendit që është detyrim kushtetues i Republikës së Kosovës që daton nga marrëveshja e Ahtisaarit. Është hera e parë që Kosova nuk e përmbush obligimin që rrjedh nga kjo pako. Kjo pako është detyruese jo sepse Serbia e ka pranuar, por sepse ka qenë kontrata e pavarësimit të Kosovës që kemi bërë me Perëndimin. Shkelja e këtyre zotimeve është e papranueshmë për gjithë spektrin ndërkombëtar që ka mbështetur Kosovën. Besoj se ka qenë arsye e mjaftueshme për t’i shtyrë ata që të marrin këto masa. Kjo gjendje është e rikuperushme. Ajo që duhet të ndodhë është që institucionet e Kosovës të reflektojnë në mënyrë që sa më parë t’i rikthehen një marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA-në.
-Mendoni se do të ketë një përmirësim të marrëdhënieve Kosovë-SHBA?
Hoxha: Nuk mund të ketë prishje të marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së. Mund të ketë prishje të raportvee të individëve të cilët do të largohen nga postet nëse nuk e bëjnë këtë. Ne nuk kemi luks të kemi marrëdhënie të mira me SHBA. Ne duhet të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-në në mënyrë që të kemi një shans për ekzistencë si shtet.





