Subscribe

25 të rinj të shkollave të mesme të vendit u bënë pjesë e ditës së punës së një prej 25 drejtuesve ekzekutivë të bizneseve, institucioneve publike kombëtare e lokale, medias dhe organizatave joqeveritare.

 

Secili prej tyre pati mundësinë të njihet, jo vetëm me rolin, funksionin, përgjegjësitë që mbart pozicioni i një drejtuesi të suksesshëm, por edhe me sfidat që ndesh në marrjen e vendimeve të rëndësishme.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në ceremoninë e dhënies së çmimeve për të rinjtë fitues, u shpreh krenar për punën e secilit prej atyre që morën përsipër një rol drejtues.

 

“Unë besoj se bëj punën më të bukur në këtë qytet, por përveçse është privilegj: pjesa më e madhe është përgjegjësi, sepse duhet të mendosh për gjërat që duhet të funksionojnë më mirë, ose për ato që nuk funksionojnë, se si gjendet një zgjidhje. Ndaj, jam shumë krenar për të gjithë ata që u përzgjodhën nga Junior Achivement, që të ndiqnin një nga drejtuesit. Mund të jenë nga sektori privat, sektori publik, por u futën në këpucët e dikujt që duhet të marrë vendime dhe jo vendime sportive, por vendime që ndikojnë dhe kanë peshë tek jeta e njerëzve,” u shpreh Veliaj.

 

Kryebashkiaku nxiti të rinjtë të bëhen me idetë e tyre pjesë e aktiviteteve të vitit të ardhshëm kur Tirana do jetë kryeqyteti europian i rinisë dhe të shfrytëzojnë edhe këtë eksperiencë.

 

“Mezi pres që vitin tjetër, kur do të jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë, të dëgjojmë disa ide sesi mund ta bëni këtë punë për pak më gjatë, se si do ju shohim disa prej jush në këshillat bashkiakë, apo në parlamentin e ardhshëm. Shpresoj që për të gjithë ju kjo ishte një lloj eksperience për të thënë: “Kam qenë në Bashkinë e Tiranës, kam qenë në bankë, kam qenë në AADF, kam qenë në Shoqatën e Biznesit, kam qenë në një korporatë private, kam qenë te Kryeministri, e kam idenë për çfarë bëhet fjalë. Kam pasur pak fare eksperiencë, më jep mundësinë të bëj më shumë”. Po duam të dimë nga ju tani për vitin që do jemi “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, çfarë mund të bëjmë më shumë? Unë e di që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, por kjo nuk do të thotë që një e re nga Elbasani, apo nga çdo cep i Shqipërisë mos të na japë një propozim se si mund ta bëjmë këtë vend më të mirë,” deklaroi Veliaj.

 

Që prej vitit 2013 përmes “Drejtues për një Ditë”, çdo vit, Junior Achievement of Albania dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit u ka dhënë mundësinë të rinjve të shkollave të mesme të Shqipërisë që të eksplorojnë praktikisht modele të lidershipit dhe vendimmarrjes, si një mënyrë për t’i fuqizuar për të arritur suksesin në të ardhmen në tregun e punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.