Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një takim miqësor z. Harry H. Hardman, anëtar i Bordit të Shkollës “Bush” për Qeverisje dhe Shërbim Publik në Universitetin A&M të Teksasit, me mbi 22 vite përvojë në këtë institucion.
Proda-Hardmanit: “Ofrimi i mundësisë për bashkëpunim nga Shkolla “Bush”, vlerë e shtuar për Policinë e Shtetit dhe kredencial për Akademinë e Sigurisë.”
Në fokus të bisedës ishin mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Policisë së Shtetit, Akademisë së Policisë dhe Shkollës “Bush”, përmes krijimit të partneriteteve akademike dhe profesionale, shkëmbimit të studentëve dhe stafit pedagogjik, si dhe nxitjes së programeve të përbashkëta të trajnimit.
Hardman- Prodës: “Jemi të gatshëm të krijojmë partneritete akademike dhe profesionale me Policinë e Shtetit shqiptar.”
Të dy palët shprehën gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimimit dhe trajnimit policor, si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të mëtejshëm të Policisë së Shtetit.





