Dorëhiqen 21 drejtorët e Vlorës, largimet një ditë pas urdhrit të kryeministrit Rama për bashkinë
Një ditë pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e drejtorëve në bashkinë e Vlorës, të gjithë drejtuesit më të lartë të këtij institucioni kanë paraqitur dorëheqjen pranë kryetarit Ermal Dredha.
Dorëheqjen e kanë dhënë edhe drejtuesit e institucioneve rajonale, të cilët nuk janë në varësi të bashkisë së Vlorës si autoriteti kombëtar i ushqimit, operatori i shpërndarjes së energjisë, ujësjellësi, tatimet,etj.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Rama prezantoi gjithashtu edhe komisionet që do të angazhohen në ristrukturim. I pari do të angazhohet edhe në terren për mbledhjen e problematikave dhe raportimin e tyre çdo të hënë në Bashki. Pjesë e grupit janë deputetja e sapozgjedhur Zamira Sina, si dhe kandidatet Evis Alushi dhe Briseida Çakërri.
Ndërsa drejtuesit e rinj do të vendosen nga një tjetër komision që përbëhet nga Drejtuesi Politik Bledi Çuçi dhe ministri Piro Vengu.
Kryeministri kërkoi gjithashtu dorëheqjet e drejtorëve të drejtorive me varësi nga qendra, për të cilat është angazhuar ministri i mbrojtjes. Ai ka sqaruar se një pjesë e dorëheqjeve janë dorëzuar, ndërsa pjesa tjetër pritet në ditët në vijim.
Ndërkohë ultimatum ka patur edhe për biznesin vendas konkretisht në lagjen e vjetër Muradie. Rama një ditë më parë konsumoi një kafe në zonën turistike por ajo që vuri re ishte mungesa aty e hapësirës për të kaluar dhe zaptimi i saj nga bizneset bar kafe dhe restorante.
Një ditë më pas, policia bashkiake ka zbarkuar duke bërë lirimin e plotë të hapësirës publike për të cilën Rama shprehu kritika.
Drejtorët e Bashkisë së Vlorës që kanë dhënë dorëheqjen pas takimit të kryeministrit Rama në ambientet e Bashkisë së Vlorës janë:
1-Zambak Selmanaj, drejtor i infrastrukturës dhe urbanistikes
2-Olsi Durrolli, drejtor i përgjithshëm i ekonomisë
3- Dorjan Demiri, drejtor përgjithshëm juridik
4- Kozma Mali, drejtor i financave
5- Jovan Jaupaj, drejtor i Aseteve
6-Arlinda Tepelena, drejtore e turizmit
7-Dorjan Xhelili, drejtor NSHP
8-Francesko Tozaj, drejtor i pastrimit
9-Endri Rrokaj, drejtor i gjelbërimit
10-Anila Hitaj, drejtore e shtëpisë së foshnjës
11-Irena Stasa, drejtore e shërbimeve sociale pranë bashkisë
12-Elida Grabova, drejtore e shtëpisë për personat me probleme mendore
13-Lorela Ballaj, drejtore e shtëpisë se fëmijëve me aftësi te veçanta
14-Sokol Kananaj, drejtor i tatimeve pranë bashkisë
15-Ardian Vreshtazi drejtor i emergjencave civile
16-Sokol Toto, drejtor teatri P. Marko
17-Genci Demiraj, drejtor i Pallatit të Kulturës
18-Laura Brinja, drejtore e burimeve njerëzore
19-Igli Zahaj, drejtor i IMT
20-Emiljano Ismalili, drejtor i policisë bashkiake
21- Elona Merkaj, drejtore e pallatit të sportit./vizionplus.tv




