Dorëheqja e Adriatik Kupit, Sadleva Bodo emërohet në krye të Burgjeve

Sadleva Bodo është emëruar drejtoresha e re e Përgjithshme e Burgjeve, duke u bërë gruaja e parë që merr drejtimin e këtij institucioni.
Emërimi i saj vjen pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, i cili qëndroi në këtë detyrë për rreth 7 muaj. Gjatë 13 viteve të fundit, në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve janë ndërruar 9 drejtues, nga Artur Zoto deri te Adriatik Kupi.
Aktualisht, Bodo mban detyrën e këshilltares së drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ajo ka punuar më herët edhe në Ministrinë e Brendshme, gjatë kohës kur ky institucion drejtohej nga Fatmir Xhafaj, ku ka mbajtur postin e drejtoreshës së Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës.
Vendimi për lirimin e Adriatik Kupit dhe emërimin e Sadleva Bodos është marrë nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Drejtësisë.
Sipas vendimit, Adriatik Kupi lirohet nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ndërsa Sadleva Bodo emërohet në këtë pozicion. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.




