Subscribe

Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri ka folur për udhëtimet e tij në Vjenë dhe në Frankfurt duke sqaruar se i gjithë dokumentacioni është në ministri.

 

Në një prononcim për mediat, Gjiknuri tha se përmendja e tij vlen për qëllime politike dhe nuk ka asnjë provë që tregon paligjshmëri në 2 udhëtimet e tij.

 

“Të them të drejtën dhe po e them dhe këtu, siç e kam thënë dhe në komision hetimor, të gjitha ato udhëtime, dy se vetëm dy që kanë dalë në media të pretenduara janë udhëtime zyrtare. Ka dokumentacion përkatës në Ministrinë e Infrastrukturës. Mbase dhe prokuroria I zotëron, dhe unë personalisht I zotëroj. Nuk kam pse të bëj debat publik të nxjerr letra, por udhëtimet e mia si ministër janë të deklaruara, janë udhëtime zyrtare dhe nuk kam vajtur as për qejf, as kam bredh me njerëz të cilët ju mund të pretendoni për lidhje të caktuara. Përsa I përket  rolit tim si ministër, roli im si ministër nuk ka asnjë shkelje ligjore në asnjë procedurë, e para njëherë I kam shpjeguar dhe në komision hetimor rolin që ka pasur ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë. Nuk ka dalë dikush që të citojë një shkelje të ligjit  nga unë si ministër në ushtrimin e detyrës sime. Firmosja e një akti të qeverisë nuk përbën pavarësisht nga pretendimet apo hamendësitë që mund të ketë në lidhje me këto procedura, nuk përbën as vepër penale dhe as shpërdorim detyre sepse çdo ministër përgjigjet për atributin e zyrës që përfaqëson dhe nuk është qeveria organizatë kriminale. përkundrazi, qeveria është një institucion i organizuar ku secili  ministër shpreh mendimet e tij dhe ushtron funksionin sipas detyrës që ka.  Mos e bëni hetimin penal apo akuzat sikur po hetojmë pacientin zero. Njeh këtë, ky ka takuar atë dhe secili  paska marrë virusin. Bëhet fjalë për akte zyrtare dhe pasoja konkrete. Lidhjet rastësore me persona apo njohjet nuk kanë asnjë lloj vlere për pretendimet që ngrihen. Ju thashë me Arben Ahmetaj kam bërë udhëtime se ka qenë ministër, ka qenë koleg dhe të dy udhëtimet e cituara konsultohuni, drejtojuni dhe ju si gazetarë Ministrisë së Energjisë, merrni informacionin zyrtar  , a ka urdhër shërbimi dhe a ka dokumentacion shoqërues.  Aty janë dokumentet dhe do të dalin, kur të thërritem do të jap shpjegimet. Në detyrën time kam zbatuar ligjin, nuk ka asgjë për t’u çuditur, akuza politike dhe akuzat kuazipenale, kanë vite që ngrihen ndaj meje. Jua kam sqaruar në komision hetimor dhe në lidhje me njohjet. Dhe të njohësh njerëz nuk është krim”, thekson Gjiknuri.

 

 

Dosja e paraqitur në Kuvend nga SPAK përmes të cilës kërkon autorizimin për të arrestuar ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj përmbante disa të dhëna ku dyshohej se biznesmeni Klodian Zoto kishte paguar në dy episode hotele në emër të ish-ministrit të Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri në Vjenë dhe Frankfurt.

 

“Në emailin e shtetasit Klodian Zoto më datë 12 mars 2014 rezulton se i është dërguar email nga booking.com për prenotimin e tij në Radisson blu sky hotel Vienna ku i konfirmohet rezervimi me nr… në adresë…. me guest name Damian Gjiknuri me periudhën 12.3.2014 deri në 13.3.2014.”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

 

Mirepo faturat për rezervimin dhe pagesën e hotelit ku ka qëndruar Gjiknuri në datën 12 Mars nuk e konfirmojne nje gje te tille, perkundrazi.

 

Konkretisht, rezulton se Gjiknuri NUK ka fjetur në Radisson Blu Sky Hotel Vienna sikurse pretendohet nga këqyrja e e-mailit të Zotos.

 

Dokumentet zyrtare tregojnë se Gjiknuri në datën 12 mars 2014 ka fjetur në Hotel Ambassador me rezervimin me numër TL 34979619, Standard Sigle Room me emrin Mr. Damian Gjiknuri. Rezervimi dhe pagesa e hotelit konfirmohet të jetë kryer nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë titullar i të cilës ishte në atë kohë Gjiknuri.Sipas urdhërit të shërbimit rezulton se Gjiknuri ndodhej për vizitë pune në Vjenë në kuadër të bisedimeve që qeveria shqiptare po zhvillonte me kompaninë çeke CEZ për rishtetëzimin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Gjiknuri shoqërohej në këtë udhëtim nga këshilltarja e tij Entela Çipa, pjesë e grupit negociator për çështjen e ÇEZ, ashtu sikurse ishte edhe ministri Ahmetaj po pjesë e grupit negociator nga pala e qeverisë shqiptare. Negociatat zhvilloheshin në Vjenë nën kujdesin e Komunitetit Evropian të Energjisë.

 

Rasti i dytë cituar në dosjen e SPAK është ai i një fjetjeje të pretenduar në Frankfurt të Gjermanisë në datën 8 Shkurt 2014. “Ekziston dyshimi se shtetasit Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë takuar dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto,” thuhet në dokumentin e prokurorisë.

 

Sipas urdhërit të shërbimit, rezulton se Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë zhvillonte një shërbim në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të merrte pjesë në Sesionin Shkencor që do të zhvillohej në Universitetin e Harvardit. Nisja për këtë shërbim është në datën 8 Shkurt 2014 dhe kthimi në datën 17 Shkurt 2014.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *