SPAK ka lëshuar 8 masa sigurie pas një hetimi të gjatë në lidhje me tendera të dyshuara korruptive të Agjencisë Kombëtare të SHoqërisë së Informacionit, ku janë ekzekutuar 6 masa, ndërsa dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në banesë.
Ndaj Agasit dhe Beqiraj, gjykata ka vendosur masën arrest me burg. Ndërkohë është ekzekutuar masa e arrestit në shtëpi për drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoreshën Hava Delibashi.
Masë pezullim nga detyra është vendosur ndërkohë për Erjon Ismailin, zëvendës drejtor i policisë së Tiranës. Ndërsa ndalimi për të dalë jashtë vendit është dhënë për Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta.
Barbara Doda, sekretare e përgjithshme e Partisë Mundësia, e ftuar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, tha se Policia e Shtetit është kthyer në një organizatë kriminale dhe se kjo është shumë e rëndë.
Ajo u ndal edhe te kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut, ku Doda vlerësoi pozitivisht punën e Prokurorisë së Posaçme.
“Lëvizjet nga SPAK, para dy vitesh nuk priteshin, ishin të paprekshëm. Por ne kemi besuar te SPAK dhe drejtësia. Nuk e di nëse ishte i pritshëm apo jo vendimi për Ballukun sot. Ne të gjithë e mendonim që Balluku është një nga njerëzit më të korruptuar, thjesht u faktua. Ajo që më bëri më shumë përshtypje, në fakt, është se institucioni i parë ku ti duhet të shkosh është policia dhe policia është kthyer në një organizatë kriminale. Kanë marrë peng njerëz. Unë shpresoj që të jem brezi që do të shohë politikanë të prekshëm”, tha Doda.
/vizionplus.tv





