Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim pune me të gjithë kryetarët e bashkive të vendit, me qëllim diskutimin e një sërë çështjesh kyçe që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në fokus të takimit janë sfidat aktuale të qeverisjes vendore dhe identifikimi i zgjidhjeve konkrete në përputhje me prioritetet kombëtare dhe standardet europiane.
Kreu i qeverisë tha se me rritjen e numrit të turistëve, kanë dalë në pah problematikat e pushtetit vendor. Gjithashtu një kritikë të drejtpërdrejtë e pati edhe për bashkinë e Vlorës dhe kryebashkiakun Ermal Dredha.
Rama: Dobësia e pushtetit vendor ka dalë në pah edhe si rezultat i një ndryshimi shumë të madh të gjithë mënyrës së funksionimit të vendit për shkak të faktit se vendi tani nuk mban vetëm banorët e vet, por mban edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh që vjen në rritje dhe që sjell sfida të reja dhe ngarkesa të mëdha ekstra të pushtetit vendor, në territoret ku përqëndrimet e turistëve janë më të mëdha. Një nga gjërat që vihet re është edhe nxitja e brendshme e biznesit për të kapërcyer kufijtë e paravendosur në formën e daljes përtej tyre dhe të zaptimeve të territorit ashtu edhe ndërtimeve pa leje në teritoret ku vëmendja është më e vogël apo si në Vlorë ku kryetari i bashkisë dhe struktura atje i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur. Është bërë një pikë qendrore e diskutimeve për shkak se ka marrë vëmendjen e ditës ajo që ka ndodhur në Theth ku gjatë periudhës së zgjedhjeve, ose le të themi para dhe gjatë zgjedhjeve, ka pasur një boom ndërtimesh pa leje si rezultat edhe i përgatitjes së sezonit të ri turistik. Jo 1, por rreth 40 denoncime janë bërë nga policia e shteti për këto ndërtime./vizionplus.tv





