Kryeministri Edi Rama i pranishëm në aktivitetin infrastruktura, arritjet dhe sfidat për Shqipërinë 2030 renditi projektet e reja.
Rama tha se do të krijohen dy autostrada të kategorisë A që lidhin Shqipërinë me gjithë rrjetin e autostradave të Bashkimit Evropian.
Kryesocialisti deklaroi se Shqipëria, sa i përket turizmit do të jetë një Zvicër dhe Austri e Ballkanit.
Ai u shpreh se pasuria e shqiptarëve janë zonat malore të Shqipërisë, ku siç deklaroi kryeministri do të ketë investime dhe projekte të reja në këto akse.
“Janë bërë projekte, janë hapur tendera më saktë se projekte nuk ka pasur gjatë gjithë aksit nga Shkodra deri poshtë. Por nuk është bërë kurrë asnjë rrugë me standarde. Ndërkohë që janë ndërtuar, është lejuar pushtimi i rrugës nga të dyja anët , është stimuluar. I njëjti fenomen është edhe më poshtë, në rrugën që shkon drejt Fierit. Ne duhet t’i shmangemi disa herë aksit ekzistues, që u pretendua si autostradë. Ajo nuk është autostradë, është një aks rreziqesh. Kemi projekte të reja. Do të kemi dy autostrada të kategorisë A që lidhin Shqipërinë me gjithë rrjetin e autostradave të Bashkimit Evropian. Talleshin me ne më parë, ndërkohë që logjika e gjithë pjesëve të tjera të investuara dhe që do të investohen është logjika e bërjes së rrugëve për të sjellë më shumë ekonomi. Dhe nga ana tjetër, për të hapur në mënyrë të vazhdueshme shtigje, për të hapur hapësira. Ky është rrjeti i rrugëve, i akseve kryesore kombëtare. Gjatë këtyre viteve ne kemi bërë krijimin e një rrjeti damarësh dhe arteresh që të gjitha bëjnë sens, sepse janë të lidhura me njëra-tjetrën. Pasuria më e posaçme e shqiptarëve janë zonat malore të Shqipërisë, sepse aty do të mund të çlirohen kapacitete të jashtëzakonshme të një turizmi që sjell konsumatorë të një niveli të lartë. Shqipëria është shumë e vogël dhe ka dy dete, nëntë lumenj, ka vargmale të tëra që janë shumë afër deteve pa llogaritur liqenet e mëdhenj e të vegjël. E gjithë kjo që deti po i sjell Shqipërisë është jashtëzakonisht e rëndësishme, por në një fazë të dytë do të jetë themeli i asaj që Shqipëria do të ndërtojë, do të jetë një Zvicër, Austri e Ballkanit, sa i përket turizmit”, tha Rama.
Kryesocialisti deklaroi se shumë shpejt so të jetë gati sistemi i kamerave inteligjente, ku veç të tjerash do të ndikojnë në uljen e aksidenteve.
“Qendra e monitorimit të trafikut, e cila është gati, po bën një punë të posaçme dhe do të lidhet me marrëveshjen që ne kemi nënshkruar. Duke filluar nga spitalet, shkollat, akset kryesore do të kemi një sistem kamerash inteligjente. Do të monitorohet çdo rrugë në kohë reale. Sistemi është i tillë që në mënyrë të menjëhershme do të sinjalizojë një rritje të shpejtësisë. Nuk do të ketë më policë në rrugë, punonjësit e policisë do të jenë në një mënyrë tjetër, për të qenë të gatshëm aty ku është e nevojshme. Sistemi i kontrollit në kohë reale të shpejtësisë do të bëjë që jo vetëm gjobat të jenë të menjëhershme dhe të vijnë në telefonin tënd bashkë me foton tënde dhe me një “përshëndetje”, por do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm në uljen e aksidenteve, sepse do t’i shkojë shumë shtrenjtë adrenalina. Sistemi do të ketë një kapacitet të panjohur më parë nga forcat e sigurisë për identifikimin e personave problematikë”, deklaroi Rama.
/vizionplus.tv





