“Do të jetë marina më e madhe e Mesdheut”/ Rama për Portin e Durrësit: Projekti është gati

Kryeministri Edi Rama ndodhet pasditen e kësaj të marte në Durrës, ku po zhvillon një bashkëbisedim me qytetarët.
Ai u ndal tek ndërtimi i Portit të Durrësit, ku tha se do të hidhen 2 miliardë euro për transformimin e tij.
Shefi i qeverisë theksoi mes të tjerash se një nga kompanitë më të mëdha të botës ka dorëzuar projektin e fazës së parë të portit turistik të Durrësi, raporton Vizion Plus.
“Kemi pasur disa tentativa për të filluar me zonën industriale, zonën ekonomike që në fakt do të lidhet me portin e ri të mallrave në Durrës. Këto nuk janë finalizuar ende, por nuk është nevoja që ti shtjellojmë këtu sot. Kemi dalë në tregun ndërkombëtar me një ofertë për transformimin e këtij territori. Ka qenë një Shqipëri tjetër nga kjo që kemi sot në sensin e imazhit dhe sigurisë tek kompanitë e mëdha dhe pamundësisë për kompanitë serioze. Por sot jemi në kushte të tjera. Nëse sot kemi një nga kompanitë më të mëdha të botës e cila operon një pjesë të madhe të investimeve turistike në Lindjen e Mesme, që jo vetëm ka shprehur dëshirën por ka dorëzuar projektin e fazës së parë të portit turistik të Durrësi. Nuk mund të imagjinohej që një kompani e këtyre përmasave të vijë dhe të shprehte interes për të transformuar Portin e Durrësit para 7 vitesh. Do të jetë marina më e madhe e Mesdheut. Ideja për ta bërë komplet Portin e Durrësit, as nuk mund të imagjinohej”, tha Rama.




