Një ekspozitë unike është çelur në Pogradec duke sjellë për publikun materiale të rralla fotografike nga “Ditari i Luftës Greko-Italiane 1940–1941, të autorit arvanitas Christos Petrou Mesogeitis.
Në periudhën e luftës në ditarin e tij ai përshkruan në detaje operacionet ushtarake të ushtrisë greke kundër forcave italiane në Shqipërinë e Jugut, por njëkohësisht pasqyron edhe jetën e përditshme të banorëve të zonave ku kaloi dhe qëndroi, kryesisht përreth Pogradecit dhe Maliqit.
Fotografitë dhe shënimet sjellin në fokus fshatrat, vendet arkeologjike, profesionet, zakonet dhe vështirësitë e luftës.
Autori u nda nga jeta në vitin 1944 pak para çlirimit të Greqisë por la pas një dëshmi të çmuar historike që tashmë e prezantoi për publikun shqiptar pasardhësi i tij Petro Filipi.
“Jam shumë i lumtur që pas 85 vjetësh hap këtë ekspozitë fotografish të gjyshit tim arvanitas Petros Mesogjitis. Mesogjitis kishte mbaruar për arkeologji dhe më pas u angazhua në luftën italo-greke me forcat greke dhe gjatë asaj periudhe ka mbajtur ditar rreth luftës dhe vendeve që kalonin duke shkrepur edhe foto. Ai ka ndihmuar në atë periudhë edhe familjet e varfra gjatë kohës që ka qenë në këtë zonë. Libri dhe ekspozita i dedikohet zonës së Maliqit dhe Pogradecit, flitet për vështirësitë që haste ushtria në malet me dëborë gjatë luftës dhe njerzit kanë mundësinë që nëpërmjet tyre të shohin dhe mësojnë më shumë rreth periudhës së luftës italo-greke”, tha Petro Filipi.
Ekspozita sjell imazhe të zonave që sot nuk ekzistojnë më, siç është liqeni i Maliqit, kullat tre deri në katër kate në fshatrat e Pogradecit dhe jetën e fermerëve të zonës./vizionplus.tv





