Subscribe

Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në Konferencën me temë “Politika e Mirë në Shërbim të Paqes” që u zhvillua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” ku u prezantua mesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore të Paqes 2019.

 

Në fjalën e tij, duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës shprehu falënderimet dhe kënaqësinë e veçantë për ftesën e marrë për të qenë pjesë e kësaj aule, për të diskutuar rreth mesazheve të Atit të Shenjtë në Ditën Botërore të Paqes.

 

Meta theksoi se mesazhet e Papa Françeskut vënë në dukje se politika e mirë në shërbim të paqes është një mision akoma i papërmbushur, për të cilin të gjithë duhet të përpiqemi dhe ndaj të cilit kemi detyrim jo vetëm moral, por dhe kombëtar.

 

 “Jam i lumtur që marr pjesë në këtë aktivitet, kushtuar mesazhit të rëndësishëm dhe aktual, të Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut, mbi temën ‘Politika e Mirë në Shërbim të Paqes’. Shenjtorja jonë e dashur, Shën Nënë Tereza ka thënë: ‘Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde!’Këto janë fjalë të thjeshta, por mesazhi i tyre është i jashtëzakonshëm, kumbues, kuptimplotë dhe aktual në të njëjtën kohë. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme shpirtërore dhe sociale në botë, pa dashurinë e pakushtëzuar për familjen, për prindërit dhe fëmijët, për njerëzit e afërt që na rrethojnë. Nuk mund të ketë paqe dhe mirëqenie në vend e në botë nëse nuk respektohen parimet themelore të qytetarisë, të mirësjelljes dhe të respektit ndaj institucioneve, por edhe ndaj fqinjëve.  Paqja fitohet me shumë mund dhe sakrifica.

 

Meta përcolli gjithashtu edhe një mesazh për politikën. Ai tha se politika duhet të kuontribojë më shumë në luftën kundër varfërisë dhe forcimit të shtetit ligjor.

 

“Një ‘politikë e mirë dhe në shërbim të paqes’ do t’i shërbente çdo angazhimi serioz që do të nxiste të rinjtë tanë të qëndronin në Shqipëri, që do t’i mbështeste aftësitë, potencialet dhe pasionet e tyre për të realizuar ëndrrat në vendin e tyre, do t’u lehtësonte arsimimin dhe përgatitjen profesionale për t’i shërbyer atdheut, familjes dhe paqes së qëndrueshme dhe afatgjatë në vendin tonë të mrekullueshëm. Politika e mirë në shërbim të paqes, zhvillimit, mirëqenies dhe begatisë është një mision akoma i papërmbushur, për të cilin të gjithë duhet të përpiqemi dhe ndaj të cilit kemi detyrim jo vetëm moral e njerëzor, por edhe kombëtar.Meqenëse jemi në fillim të këtij viti, por edhe të sesionit të ri parlamentar, mbështes plotësisht mesazhin e Imzot Frendos për rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit në interesin më të mirë e kombëtar, jo vetëm midis qeverisë dhe opozitës, por edhe për më shumë dialog kudo, në Kuvend, në shoqëri, në komunitet e në familje. Vetëm kështu do të kemi më shumë paqe dhe begati për të gjithë.”

 

Në këtë Konferencë ishin të pranishëm edhe Rektori Prof. Bruno Giardina, Presidenti i Fondacionit ZKM At Daniele Bertoldi, Nunci Apostolik Imzot Charles Broën, Presidenti i Konferencës së Peshkopëve të Shqipërisë, Imzot George Frendo, drejtori i gazetës “Avvenire; Shqipëria në sytë e botës 2018” Prof. Raul Caruso, trupa pedagogjike si dhe studentë të shumtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *