Në Tiranë zhvillohet sot dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve Diplo 2025 “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”. Ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë, si edhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar për integrimin evropian, diplomacinë ekonomike dhe sigurinë rajonale e globale.
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se gushti i këtij viti ka regjistruar një rritje prej 10% të vizitorëve të huaj në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke pritur rreth 200 mijë turistë më shumë nga vende të ndryshme të botës. Ajo thekson se turistët janë ambasadorë të shkëlqyer të Shqipërisë, pasi promovojnë vendin pa u paguar, madje duke investuar vetë për eksperiencën e tyre. Sipas Kumbaros, detyra kryesore mbetet promovimi dhe ruajtja e këtij produkti turistik gjatë gjithë vitit.
Mirela Kumbaro: Gushti i këtij viti, në krahasim me gushtin e kaluar mirëpriti 10% më shumë vizitorë të huaj, ose 200 mijë vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Na ka rezultuar që ata (turistë) janë ambsadorë shumë të mirë. Ata nuk paguhen, përkundrazi ata kanë paguar për përvojën e tyre në Shqipëri. Detyra jonë, është që këtë produkt (turizmin) ta promovojmë dhe ta mbajmë gjatë gjithë kohës.
I pranishëm në panelin e folësve është edhe CEO i “Concord Investment”, zoti Artan Dulaku, i cili menaxhon një nga hotelet më të mira të “Melia” në Shqipëri. Ministrja Kumbaro theksoi se rasti i “Melia” është shembull i qartë se si një investim i guximshëm i para disa viteve hapi rrugën për ardhjen e markave të tjera ndërkombëtare në vend. Ajo nënvizoi se turizmi shqiptar ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku eksperienca e investitorëve vendas dhe besimi i grupeve të huaja ndërthuren për të krijuar një ofertë më cilësore dhe konkurruese.
Mirela Kumbaro: Unë nuk e di nëse ishin turistët e parë spanjollë që filluan të flasin mirë për Shqipërinë, apo ishte interesi që pati 8 vite më parë “Melia”, grupi i madh i turizmit spanjoll që erdhi për të zbuluar një vend që nuk e kishte idenë që ekziston. Drejtori i grupit të Melias për Evropën juglindore 8 vite më parë i tha CEO-s së vet “Po shkoj në Shqipëri”. Dhe ai i thotë “What?”.
Pra as emri Shqipëri nuk i thoshte gjë. Sot kam dëshmitarin, njërin prej investitorëve shqiptarë, zotin Artan Dulaku që ka një prej hoteleve më të mira të “Melia-s” në Shqipëri…sot Melia ka firmosur mbi 20 kontrata hotelerie të rinovuara ose projekte që janë rinovuar nga e para në Shqipëri që kanë tërhequr edhe brand-e të tjera ndërkombëtare.
/vizionplus.tv





