“Dinastia Marubi” vjen në Tiranë, ekspozitë me fotografi që dëshmojnë, jetën, kulturën dhe historinë

Nga Tea Sadiku
Galeria e Artit Tiranë ka hapur dyert për një ekspozitë që sjell një udhëtim të thellë në kohë dhe kujtesë, një thesar të vërtetë të historisë shqiptare, “Dinastinë Marubi”.
Fotografia e një familjeje, e cila ka fiksuar, jetën, kulturën dhe trashëgiminë, bëhet një pasaportë për të zbuluar ngjarje dhe ndjesi të një periudhe gati një shekullore. Çdo imazh është një dëshmi e pakohë, një hark që lidh të kaluarën me të tashmen.
“130 fotografi nga kjo dinasti e cila është e shtrirë në këto tre salla dhe e organizuar për të përmbledhur një udhëtim në Shqipëri që nga krijimi i studios fotografike deri në komunizëm, meqë janë 3 breza që trashëgojmë këtë studio. Krijohet një udhëtim social, kulturor i Shqipërisë”, tha Edit Pulaj, drejtoreshë e Galerisë së Artit Tiranë.
Çdo fotografi është një dritë që ndriçon errësirën e historisë. Nën objektivët e aparateve të tyre, Marubët kanë pasqyruar dhe mbajtur gjallë portretet e thjeshta të fshatarëve deri tek të tjera imazhe, të mbushura me ngjarje, që flasin për luftën, paqen dhe identitetin kombëtar.
“Kjo nuk është vetëm një dëshmi, kjo është një pasuri nga ku vërtet kuptojmë rrënjët, bashkëkohësinë europiane. Gjëja më e rëndësishme kur shikon një lloj lirie, kur shikon sidomos gratë jam e mahnitur se si kanë pranuar të pozojnë, si kanë shkuar. si çdo ekspozitë edhe kjo motiv kryesor ka të ngrihen disa pikëpyetje mbi kontekstin social kulturor të kohës”, tha Pulaj.
Në këtë ekspozitë, protagonistë nuk janë vetëm ata që ndodhen para lenteve, por dhe ata që qëndruan pas, përmes dritës dhe hijes, duke krijuar histori që nuk mund të harrohen. Ndaj ekspozita “Dinastia Marubi do të jetë e hapur për të gjithë artdashësit për dy muaj në Galerinë e Artit Tiranë.
/vizionplus.tv




