Ish kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar si antidemokratik projektligjin për studentët e mjekësisë, duke theksuar se shkelmon të drejtat e tyre.

 

Berisha ka bërë thirrje që të gjithë studentët dhe prindërit të bashkohen në protestë kundër këtij vendimi të qeverisë.

 

“I bëj thirrje studentëve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen studentëve të mjekësisë se kauza e tyre është e drejtë. Se ndëshkimi që u bëhet atyre është një atavizëm e regjimit të etërve të tyre.

 

U bëj thirrje prindërve të mbështesin kauzën e drejtë të fëmijëve të tyre”, tha ai.

 

Berisha akuzon qeverinë se abuzon me buxhetin, teksa duhet të rrisë pagat në mënyrë që të frenojë largimin e profesionistëve nga vendi.

 

“Kjo ndodh në Kuvend sepse keni vjedhur 138 miliardë në një vit. Dhe jeni të gatshëm të vidhni vitin tjetër 150 miliardë. Në vend që të mendoni të kundërtën, të caktoni rroga të larta, të dy ose trefishoni rrogat e mjekëve dhe t’i jepni vendit sistemin që meriton.

E keni mirë ju se nuk mjekoheni në spitalet tona. E keni mirë se nuk doni t’ia dini për përkeqësimin e treguesve shëndetësore nga viti në vit”, tha ai.

 

Akuzat e Berishës kanë marrë përgjigje nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili theksoi se arsimimi i studentëve mundësohet nga taksat e shqiptarëve, ndaj ata duhet t’i shërbejnë vendit të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *