Subscribe

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer kërkesës që bankat duhet të ofrojnë online pagesat e shërbimeve publike dhe nëpërmjet teknologjisë të ndikojnë në reduktimin e parasë cash. Gjatë një takimi me sistemin bankar dhe kompanitë Fintech, kreu i qeverisë tha së bankat duhet të dalin nga zona e tyre e komfortit.

Bankat janë aty për të hapur dyert, për të hapur dyert e zhvillimit, për të hapur dyert e teknologjisë, për të hapur dyert për Shqipërinë që të shkojë shumë më shpejt përpara, duke u kthyer nga një vend që ka përdorimin më të lartë të cash-it në ekonomi, në një  vend pa cash në transaksionet e jetës së përditshme dhe kjo është plotësisht e mundur-tha Rama

Duke i konsideruar si një prioritet kombëtar investimet në teknologji, Rama kërkoi që banka e Shqipërisë të udhëheqë këtë proces.

“Duam të shikojmë bizneset që shesin me këto sisteme, duam të shikojmë rënie reale të cash-it në qarkullim, duam të shikojmë rritje reale të transparencës së parasë dhe rritje reale të të ardhurave për vendin dhe këtë gjë ne duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe. Në të gjitha rastet ne këtë gjë do ta bëjmë, do ta bëjmë se s’bën sepse nuk mundet dot ta pranojmë inercinë e kësaj situate të tmerrshme.”

Në takim, kreu i bankës qendrore la një afat të ri për bankat e nivelit të dytë që të ofrojnë pagesat online të shërbimeve publike

“Në qershor të këtij viti është afati kur të gjithë ju duhet të jeni gati për të ofruar këtë shërbim. Nuk mund të pritet më gjatë pasi ky është një detyrim ligjorë dhe duhet ta zbatojmë”, – tha Sejko.

Në funksion të dekurajimit të parasë cash, këtë vit bankat janë të detyruara të hapin pa pagese llogari bankare për pensionistët, llogari nëpërmjet të cilës do të ofrohen edhe disa shërbime bazike pagesash./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *