Takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Moskë, përcolli sinjale pozitive për vijimin e dialogut me perëndimin mbi çështjen e Ukrainës.

 

Në një konferencë për shtyp pas bisedës me dyer të mbyllura, shefi i Kremlinit theksoi se marrëdhëniet tregtare me Gjermaninë, nuk kanë sfond politik, ndërsa theksoi gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin.

 

VLADIMIR PUTIN

PRESIDENT I RUSISE

“Gjermania është partneri i dytë më i madh tregtar i Rusisë, pas Kinës dhe ne jemi gati të punojmë më tej së bashku. Më lejoni ta bëj të qartë se ne jemi të gatshëm të vazhdojmë transportimin e gazit përmes Ukrainës përtej vitit 2024. Ky është tërësisht një projekt ekonomik dhe nuk ka asnjë prapaskenë politike. Duam të vazhdojmë bashkëpunimin në industrinë e energjisë.”

 

Sa i takon raporteve me SHBA dhe NATO, Vladimir Putin edhe njëherë shprehu zhgënjimin mbi përgjigjet e marra ndaj propozimeve ruse por megjithatë la të hapur mundësinë për bisedime.

 

“Ne nuk duam luftë në Evropë. Pikërisht për këtë kemi bërë propozimet tona, për të nisur një proces diskutimi për siguri të barabartë për të gjithë. Dua të theksoj se vendet kanë të drejtë të bashkohen me aleancat ushtarake por është gjithashtu e rëndësishme të ruhet siguria jo në dëm të sigurisë së vendeve të tjera. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë procesin e diskutimit”.

 

Sakaq, kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se tërheqja e disa trupave nga kufiri me Ukrainën është qëndrimi i pritur dhe pozitiv.

 

OLAF SCHOLZ

KANCELAR I GJERMANISE

“Gjëja më e rëndësishme është që ne të menaxhojmë marrëdhëniet midis vendeve përmes diskutimeve të mira me njëri-tjetrin. Është detyra jonë absolute që Evropa të mos shohë një përshkallëzim në luftë dhe dialogu është thelbësor për arritjen e stabilitetit. Grumbullimi i trupave në kufirin ukrainas mund të shihet si një kërcënim, megjithatë fakti që po tërhiqen është një sinjal pozitiv dhe shpresojmë se do të pasojnë më shumë. Për evropianët, është e qartë se siguria e qëndrueshme nuk mund të arrihet kundër Rusisë, por vetëm me Rusinë.”

 

Ushtria ruse nuk dha detaje se nga cila zonë po tërhiqeshin trupat, apo mbi numrin e tyre por njoftimi inkurajoi tregjet financiare botërore dhe rublën e dobësuar pas disa javësh të përshkallëzimit të tensioneve. Por, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se aleanca nuk kishte ende prova për një tërheqje ruse.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *