“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po humbet gjithnjë e më shumë rëndësinë dhe po mbetet pa perspektivë konkrete për një zgjidhje.”
Kështu u shpreh analisti Blerim Burjani në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas tij, problemi kryesor nuk është mungesa e takimeve apo e bisedimeve, por mungesa e rezultateve dhe moszbatimi i marrëveshjeve të arritura.
Burjani u shpreh se Bashkimi Evropian e sheh si prioritet kryesor konstituimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Kosovën më e rëndësishme mbetet integrimi i serbëve të veriut në institucionet e vendit.
Analisti kujtoi gjithashtu se Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën dhe të vendosë pengesa ndaj anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, çka, sipas tij, e ka futur dialogun prej kohësh në një qorrsokak.
Sa i përket kushtit të kryeministrit Albin Kurti për dorëzimin e Milan Radoiçiçit, Burjani deklaroi se ka një mospërputhje të qartë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
INTERVISTA E PLOTË:
Është e disata herë që dëgjojmë se palët duhet të ulen të bisedojnë. A ka këtë herë ndonjë rrethanë lehtësuese për të bërë të mundur zhvillimin e bisedimeve?
Blerim Burjani: Ndoshta nuk është problemi te mbledhja dhe diskutimi apo te zhvillimi i dialogut, por problemi kryesor mbetet rezultati final. Megjithëse marrëveshja është arritur, ajo nuk është implementuar fare dhe nuk ka pasur asnjë nxitje te palët për zbatimin e saj. Ky dialog nuk po shihet më si i rëndësishëm në Kosovë, pasi ka sjellë më shumë probleme, sidomos me draft-statutin evropian që parasheh arbitrazh. Duket se ky dialog është i pamundur të zhvillohet nën kushtet e këtij drafti për Asociacionin e komunave serbe. Për Bashkimin Evropian, interes i veçantë mbetet vetëm konstituimi i Asociacionit, ndërsa për Kosovën më e rëndësishme është integrimi i serbëve të veriut në institucionet e vendit sesa një dialog që flet për Asociacionin. Asociacioni nuk është zgjidhja e vetme sipas politikës kosovare, rëndësi ka integrimi i vullnetshëm i serbëve, i cili do të ishte i dobishëm për ta. Serbia nuk e njeh Kosovën dhe bën pengesa të vazhdueshme ndaj anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare. Prandaj, ky dialog ka kohë që ka hyrë në qorrsokak dhe nuk po shihet ndonjë zgjidhje.
Ndërkohë Kryeministri Kurti ka përsëritur kushtin që, për të bërë të mundur këtë dialog, Serbia duhet të dorëzojë personin që ka pranuar përgjegjësinë për ngjarjen e Banjskës, Milan Radoiçiçin. A është Kryeministri Kurti në pozita më të konsoliduara pas zgjedhjeve të fundit për t’i qëndruar fort këtij kushti?
Blerim Burjani: Bashkimi Evropian kërkon që çështja e Banjskës të anashkalohet dhe të shkohet në dialog pa e përmendur atë, ndërsa kushti i Kosovës mbetet dorëzimi i Radoiçiçit. Nuk ka pajtueshmëri midis Kosovës dhe BE-së për këtë temë. Kosova kërkon me çdo kusht që ai të kthehet dhe të dënohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, ndërsa BE-ja dëshiron ta tejkalojë këtë situatë në mënyrë toleruese për të hyrë prapë në dialog. Për mendimin tim, ky dialog është pothuajse i pamundur të ketë një rezultat të pritshëm. Edhe pse përfaqësuesit si zoti Peter Sorensen kanë mandatin dhe obligimin të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, rezultati mbetet i zbehtë dhe i dyshimtë. Të dyja palët po luajnë një lloj loje me BE-në, Serbisë nuk i intereson një asociacion që trajtohet si shoqatë qytetarësh, ndërsa Kosovës nuk i intereson një asociacion që krijon një “Republika Srpska” brenda shtetit. Qëllimi kryesor i BE-së mbetet themelimi i Asociacionit, ndërsa në Kosovë rëndësi parësore ka integrimi i pakicës serbe në të gjithë vendin, përfshirë veriun.
/vizionplus.tv






